Nuk është e mundur të jetohet në retë e Afërditës. ”Arsyeja është se është shumë e thatë”, tha skuadra e shkencëtarëve të universitetit “Queen” në Belfast, Angli. Pas shpresave që patën vitin e shkuar prej zbulimit të mikrobeve që mund të ishin të pranishme atje prej gazit fosfin, shkencëtarët nuk janë më optimistë.
Retë janë më së shumti acid sulfurik me sasi shumë të vogla uji, saqë edhe mikrobet ekstremofile të cilat janë të afta të jetojnë në kushte ekstreme, nuk do të mund as të mbijetonin, jo më të shumoheshin.
Në Tokë, gazi fosfin lidhet me jetën, pasi ka baktere që jetojnë në sistemin tretës të pinguinëve ose në mjedise me sasi të vogla oksigjeni, si moçalet.
Por a do të thotë kjo që nuk ka më asnjë shpresë për jetën në Venus?
Mendimet e shkencëtarëve këtu nisin të ndahen. Disa mendojnë se atmosfera e planetit mund të jetë e tharë, por nuk dihet sa e përzierë është pasi në disa zona sasia e ujit është më e lartë. Të tjerë mendojnë se matjet e drejtpërdrejta atmosferike dëshmojnë se nuk është e mundur të banohet në të, madje është më e mundur të ekzistojë jeta në retë e Jupiterit.
“Është më e vështirë të thuhet nëse një planet është i banueshëm sesa i pabanueshëm”, thonë shkencëtarët. “Për të përcaktuar nëse mund të jetohet në të, duhet patur parasysh temperatura dhe uji. E kemi bërë këtë për Afërditën dhe njëri nga kushtet nuk plotësohet, ndërsa në Jupiter, niveli i ujit e bën atë të banueshëm. Por në këtë pikë, është më e vështirë të thuhet nëse mund të jetohet në retë e Jupiterit se sa të thuash që Venusi është i pabanueshëm”.
Aktualisht, planeti më i nxehtë i sistemit diellor është edhe kryefjala e ditës në bisedat shkencore pasi janë aprovuar tre misione nga NASA dhe Agjencia Europiane e Hapësirës, që do të nisin në fund të dekadës.