Presidenti Ilir Meta ka përsëritur edhe njëherë se nëse mazhoranca fiton zgjedhjet pa vjedhur vota, do të largohet më 26 Prill nga ky post.
“Nëse kjo shumicë konfirmohet pa prekur votën siç ka ndodhur në të shkuarën, Presidenti jep dorëheqjen më 26 Prill. Unë jam president që nuk i jam trembur kurrë zgjedhjeve. Që ti të dhunosh edhe njëherë popullin është një gjë që nuk ka më ku të rrijë se e dimë shumë mirë se në ç’pikëyetje të madhe vihet e ardhmja e Shqipërisë”, tha Meta.
Kreu i shtetit u shpreh se do të lëvizë në të gjithë Shqipërinë dhe do të japë disa mesazhe: “Të jenë të qartë të gjithë, Presidenti do të shkojë në të gjithë Shqipërinë me këto mesazhe: Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen se në demokraci, fuqia e tyre është vota. Ta përdorin votën për të zgjedhur dhe për të ndëshkuar. Ta orientojnë votën e tyre tek kandidatët më me integritet. Për mua ka rëndësi të ringjallet besimi tek demokracia”.
Ilir Meta theksoi se nuk ka asnjë problem personal me kryeministrin Edi Rama. Madje ai bëri thirrje që nëse ish-partia që ai drejtonte, LSI-ja, vë dorë mbi zgjedhjet, qytetarët ta ndëshkojnë.
“Nëse ka dikush merak që Presidenti ndikon për ish-partinë e tij, ta ndëshkojnë ish-partinë e tij nëse ajo përpiqet të vërë dorë mbi zgjedhje. Të ndëshkojnë ish-partinë e tij nëse vë persona me probleme. Këtë si thirrje duhet ta bëjnë vetë kryetarët e partive. Për Presidentin kanë rëndësi që votat e Presidentit dhe qytetarit të jenë të barabarta. Nëse për fat të keq që kryeministri mbledh kryetarët e bashkive dhe u thotë publikisht dua 800 mijë vota nga ju kjo nuk më duket e pranueshme. Nuk është problem personal. Të tjerët përpiqen që ta trajtojnë si problem personal sepse shqetësohen nga sjellja tepër parimore e Presidentit”.