Politika Nuk mjaftojnë votat e Bashës, Kuvendi nuk kalon dot ligjin për rritjen...

Nuk mjaftojnë votat e Bashës, Kuvendi nuk kalon dot ligjin për rritjen e pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses

Kuvendi nuk ka mundur të votojë për herë të dytë radhazi ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese që parashikon rritjen e pagave për gjyqtarët kësaj trupe.

Pavarësisht dakordësisë së dhënë nga grupimi i Lulzim Bashës, nisma u hoq nga rendi i ditës kur u konstatua se në sallë nuk mund të plotësoheshin 84 vota.

Shumicën e cilësuar, Kuvendi e arriti në miratimin e disa ndryshimeve në ligjin për shtetësinë. Kjo nismë u miratua me 95 vota pro dhe 1 kundër.

Sa i takon projektvendimit për zgjatjen e afatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore me gjashtë muaj, u miratua me 77 vota pro dhe dy kundër të Bujar Leskajt dhe Petrit Dodës.

Sa i përket rritjes së pagave për gjyqtarët e Kushtetueses sipas deputetëve demokratë, një vendim i tillë krijon disbalancë me gjyqtarët e këtij institucioni dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar.

Ky projektligj është kontestuar edhe nga deputeti Fatmir Xhafa. Në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, më 12 shtator, Xhafaj e kontestoi projektligjin përmes një serie pyetjesh drejtuar përfaqësuesve të ministrisë së Drejtësisë, ndërsa theksoi se me këto ndryshime, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të merrnin dyfishin e pagës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

“Dini ndonjë rast kur Gjykata Kushtetuese ka dënuar ndonjë me burgim të përjetshëm? Po që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të kenë hequr dorë nga privatësia dhe janë kushtëzuar në një sërë të drejtash dhe liri që u njeh kushtetuta, që i barazoni në këtë mënyrë?”, pyeti ai ndër të tjera.