Agjencia shtetërore ruse e kontrollit të mediave “Roskomnadzor” bllokoi plotësisht Facebook-un, mes tensioneve rreth luftës në Ukrainë.
Agjencia tha të premten se vendosi ta ndalojë Facebook, siç shprehet ajo, “për shkak të diskriminimit” të medias ruse dhe burimeve shtetërore të informacionit. Ajo tha se kufizimet e vendosura nga Facebook ndaj mediave shtetërore ruse si RT, janë në shkelje të ligjit rus.
“Roskomnadzor” e kishte bllokuar përkohësisht Facebook-un para një jave, duke e ngadalësuar atë ndjeshëm. Platformat Facebook dhe Twitter kanë luajtur një rol të madh në ndihmë të opozitës ruse gjatë viteve të fundit.
Bllokimi i Facebook-ut, pason mbylljen nga Rusia të Zërit të Amerikës, Radios Evropa e Lirë, BBC-së, “Deutche Welle-s” dhe portalit me bazë në Letoni “Meduza”, ndërsa qeveria ruse po përpiqet të bllokojë gjithë burimet e pavarura të informacionit rreth luftës në Ukrainë.
Bllokimi vjen pas rritjes së protestave të brendshme për pushtimin e vazhdueshëm të vendit në Ukrainë. Rusët kanë dalë në rrugë në një numër masiv për të protestuar kundër pushtimit të vazhdueshëm, duke provokuar mijëra arrestime.
Regjimi ka mohuar çdo plan për të vendosur ligjin ushtarak, por ka lëshuar kërcënime të vazhdueshme për mediat që publikojnë informacione kritike për përpjekjet e vazhdueshme të luftës, duke përfshirë Wikipedia.
Më herët të premten, legjislatura ruse avancoi një ligj të ri kundër përhapjes së “lajmeve të rreme” për forcat e armatosura të vendit, i dënueshëm me deri në 15 vjet burg. Menjëherë pasi projektligji u miratua, BBC njoftoi se do të pezullonte operacionet gazetareske brenda vendit.
Shumë platforma teknologjike tashmë kanë filluar të kufizojnë shërbimet në Rusi. YouTube në pronësi të Google ka bllokuar kanalet ruse të lajmeve RT dhe Sputnik në Evropë, për shembull, ndërsa Facebook ka bllokuar RT dhe Sputnik në BE dhe ka ndaluar së rekomanduari mediat shtetërore ruse globalisht. Apple gjithashtu ka ndalur shitjet e produkteve në vend.
Më shumë se 1 milion ukrainas janë larguar nga vendi si rezultat i pushtimit, sipas një vlerësimi të fundit nga agjencia e refugjatëve e Kombeve të Bashkuara.