Sfida mes Paris Saint Germain dhe Barcelonës sot nuk pati fitues, por janë francezët ata që kalojnë në çerekfinale falë super performancës (1-4) së ndeshjes së parë. Gjithsesi, rezultati 1-1 i shkon pak ngushtë blaugranave, që në Paris u treguan detyrimisht më kërkues dhe rrezikuan më shumë portën kundërshtare.
Pavarësisht dominimit fillestar të lojës, janë parisienët që kalojnë në avantazh me penallti në minutën 30 me fenomenin Mbappen rekordmen, ku asnjë si ai ka shënuar 25 gola në Champions në të njëjtën moshë.
Por Barca nuk gjunjëzohet dhe barazon 7 minuta më vonë falë një prej golave më të bukur të sezonit, një predhë e Leo Mesit që shtang Navas.
Blaugranat kanë edhe iluzionin e një përmbysje historike, por në fundin e pjesës së parë pikërisht Messi hipnotizohet nga Navas nga 11 metrat, duke vulosur disi fatin e kualifikimit.
Në pjesën e dytë, Barca krijon raste të tjera, por mungon saktësia e duhur, ndërkohë që PSG tashmë mund të synojë kundërshtarin e radhës, me objektiv atë trofe që ende i mungon.
Liverpool bën detyrën në Champions
Edhe pse në kampionat ka regjistruar 6 humbje radhazi në “Anfield”, Liverpool shndërrohet kur luan në Champions League.
Ekipi i Jurgen Klopp mundi sërish pastër gjermanët e Leipzig 2-0, në ndeshjen e zhvilluar në Budapest të Hungarisë, për një rezultat të përgjithshëm 4-0.
Salah dhe Mane shënuan golat për “The Reds” në minutat e 71 dhe 74 të ndeshjes, duke mos e vënë asnjëherë në pikëpyetje kualifikimin për në çerekfinalet e Champions.
Çerekfinalistja tjetër që doli nga mbrëmja e sotme ishte PSG, që barazoi 1-1 me Barcelonën, pasi kishte fituar 4-1 në Spanjë.