Paris Saint-Germain duhet të festonte titullin një natë më parë në ndeshjen ndaj Lille dhe kjo jo vetëm që nuk ka ndodhur, por parisienët janë turpëruar 5 me 1 nga ndjekësit e vendit të dytë.
Një humbje e tille për Paris nuk ndodhte që prej vitit të largët 2000. Nëse për objektivat e tyre kjo humbje nuk përbën rëndësi, për Lille fitorja veçse prestigjioze është edhe mjaft e rëndësishme pasi konsolidon vendin e dytë me 8 pikë diferencë nga Lion.
Një sezon ëndrrash ky për “ujqerit” që nëse do të arrinin të ruanin këtë pozicion deri në fund, do të riktheheshin në Champions pas plot 8 sezonesh.
Pas ndeshjes Kylian Mbappe nuk u përmbajt: “Luajtëm si fillestarë, pa personalitet, është e papranueshme të mundesh në këtë mënyrë”.
Por Tuchel i doli kundër, duke folur për Canal+.
“Jo, është tepër e lehtë të flasësh si Mbappe dhe të thuash që na mungoi personaliteti. Ne e kontrolluam ndeshjen, e nisëm mirë dhe shënuam, na u anuluan edhe 2 gola, ndërsa Lille nuk pati asnjë rast, sepse golin e tyre e shënuam sërish ne.
Me 10 lojtarë u ndërlikua gjithçka, luajtëm me lojtarë të sëmurë, që nuk duhej të luanin. Është e pamundur të luash duke pasur vetëm 16 lojtarë në dispozicion.
Kjo humbje tregon diçka tjetër, ne kemi mangësi në çdo ndeshje, por ndryshe nga sa mendojnë njerëzit, kjo ndeshje tregoi mentalitetin tonë. Luajtëm mirë, duke pasur parasysh rrethanat.
Unë duhet të mbroj lojtarët e mi. Me 10 lojtarë në fushë u bë tepër e vështirë. Tani shkojmë në Nantes, ndoshta do të kemi vetëm 13 lojtarë në dispozicion, nuk besoj se do të fitojmë.
PSG nuk ka lojtarë. Po, ne po ndjejmë mungesën e Lass Diarra dhe Adrien Rabiot. Të gjithë e shohin qartë tani. Do ia them edhe presidentit, po. Askush nuk tha gjë kur po fitonim, por tani të gjithë duhet të mendojnë ku kemi gabuar”.