Kanë vijuar për të tretë natë radhazi protestat në qytetet kryesore të Holandës, që nisën për të kundërshtuar masat shtrënguese të qeverisë për të parandaluar pandeminë e koronavirusit duke vendosur një orë policore.
Por tashmë shumë njerëz nuk i kuptojnë aktet vandale nga protestuesit në Rotterdam, Amsterdam, Haarlem, Geleen dhe Den Bosch, pjesën më të madhe të të cilëve e përbëjnë adoleshentët.
Kryeministri Mark Rutte dënoi më herët protestat e dhunshme gjatë së cilave protestuesit lëshuan sende të forta ndaj policisë, e cila iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Dhjetëra persona janë arrestuar, ndërsa janë vendosur dhe 5700 gjoba për shkelje të orës policore.
Autoritetet holandeze vendosën të ndalojnë qarkullimin e njerëzve në mbrëmje deri në orët e para të mëngjesit, pas frikës për një valë të re infektimesh për shkak të shfaqjes së variantit të ri të koronavirusit.
Një masë e tillë për të vendosur orën policore nuk ndodhte në Holandë që prej Luftës së Dytë Botërore.