Tre lokale janë gjobitur me 30 milionë Lekë të vjetra dhe një tjetër me 10 milionë Lekë të vjetra në qarkun e Tiranës për mosrespektim të Aktit Normativ dhe protokolleve të sigurisë.
Kështu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë konstatuar dy ambiente në të cilët ushtrohej aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ. Ndaj dy pronarëve të lokaleve, Rr.Xh. dhe H.H. u vendos gjobë 30 milionë Lekë secilit.
Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.5 kanë ndëshkuar me gjobë 30 milionë Lekë të vjetra dhe me mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, subjektin me pronar shtetasi R.C., pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet në mënyrë të përsëritur në kundërshtim me Aktin Normativ.
Ndërsa në Vorë, është gjobitur me 10 milionë Lekë të vjetra shtetasi H. I., pronar i një restoranti, pasi u konstatua duke zhvilluar ceremoni festive duke mos respektuar protokollet e sigurisë.