Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po verifikon nëse ka pasur rrjedhje informacioni, gjatë operacionit “Golden Bullet” (Plumbi i Artë), të zhvilluar nga SPAK dhe Policia e Shtetit për goditjen e 8 grupeve kriminale në vend një ditë më parë.
AMP thotë se do të hetojë me seriozitet nëse ka pasur dekonspirim gjatë operacionit për arrestimin e 32 personave, mes të cilëve dhe një punonjës policie.
Policia e Shtetit arriti të ekzekutonte vetëm 18 urdhra arresti, nga këta 9 ishin persona të cilët gjenden aktualisht në burg.
Ish-kryeministri Sali Berisha hodhi akuza për dekonspirim të operacionit duke thënë se “nga tetë bosët e shpallur në kërkim, vetëm një prej tyre u arrestua”.
Hetimet e SPAK erdhën mbi dëshminë e Nuredin Dumanit, i cili ka treguar krime të rënda të ndodhura vitet e fundit në Shqipëri.
Të paktën 12 ngjarje kriminale, vrasje dhe atentate të parealizuara janë zbardhur nga dëshmia e tij para prokurorëve të SPAK.