Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi takimet këtë të hënë me operatorët turistikë dhe sipërmarrësit në zonën e Lezhës.
Kreu i demokratëve u njoh nga afër me problemet që kanë qytetarët dhe bizneset në këtë zonë, të cilat janë shtuar më shumë gjatë këtij viti si pasojë e koronavirusit.
Sipas Bashës, mosmarrja e masave nga qeveria dhe testimet e ulëta bën që BE të mos hapte kufijtë për Shqipërinë.
“As 10% e strukturave hoteliere nuk kanë rezervime, ndërsa pjesa më e madhe e bareve dhe restoranteve po punojnë me 30-40% të kapaciteteve. E gjithë kjo situatë do të thotë se më shumë se gjysma e punonjësve, që në kohë normale do të ishin duke punuar dhe siguruar të ardhura për familjet e tyre, sot janë të papunë.
Dështimi i RAMAVIRUSIT për marrjen e masave për të kryer testimet e nevojshme në mënyrë që të identifikoheshin dhe izoloheshin vatrat e të infektuarve me COVID-19, ka sjellë këtë situatë në vend, ku për shkak të numrit të lartë të të infektuarve, numrit të ulët të testimeve dhe situatës së rëndë ekonomike, BE refuzoi hapjen e kufijve me Shqipërinë. Kjo do të thotë më pak turistë, më pak të ardhura, më pak të punësuar”, tha Basha.
Më tej, Basha u shpreh se me ardhjen e PD në pushtet do të ulen taksat dhe investimet do orientohen në sektorë të rëndësishëm.
“Ne do të vendosim prioritetet e duhura. Duke nisur me uljen e taksave dhe tarifave, orientimin e investimeve drejt sektorëve të rëndësishëm, duke hequr taksën “Rama” mbi karburantin dhe ndihmuar me subvencione sektorët e rëndësishëm që janë dhe furnizuesit e sektorit te turizmit, siç është bujqësia, peshkimi etj”, përfundoi Basha.