I shumëkërkuari i policisë Nuredin Dumani, i cili u arrestua i plagosur në Fier është nisur nga spitali i këtij qyteti drejt Tiranës. Ai është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie pasi duhet t’i nënshtrohet një operacioni të vështirë.
Dumani ka marrë një plumb në shpatull në atentatin e Elbasanit i cili ka qenë i vështirë të hiqej në Fier. Ai u vu në pranga në një banesë afër spitalit të Fierit, ku ai ishte duke marrë mjekim.
Në momentin e arrestimi, ai nuk ka bërë rezistencë. Ai ishte në kërkim për një sërë vrasjesh në Elbasan, Durrës dhe Rrogozhinë.
Policia i ka gjetur në cilësinë e provës material një armë zjarri, ndërsa në banesën ku ai qëndronte është arrestuar edhe një person tjetër, gjithashtu i armatosur.