I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, u shoqërua në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në procesin ndaj Altin Ndocit, Klevis Allës, Besian Xhixhës dhe Enver Divës, të cilët akuzohen për vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, si dhe Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë. Seanca vijon me dyer të mbyllura.
Besian Xhixha, 30 vjeç nga Larushku i Krujës dhe Enver Diva, 40 vjeç, nga Fushë-Mamurrasi, u arrestuan në qershor 2021 nga Policia e Durrësit dhe forcat RENEA, në operacionin e koduar “Vazhdimi”. Më herët, për të njëjtën ngjarje, ishin arrestuar Klevis Alla, i penduar i drejtësisë dhe Altin Ndoci. Pwr tw njwjtwn ngjarje kwrkohej edhe vetw Dumani, edhe Talo Çela, ish-miku i tij, i cili vijon tw mbetet nw arrati.
Xhixha dhe Diva akuzohen për “sigurim të kushteve për të kryer vrasje” dhe “mashtrim”. SPAK ra në gjurmët e tyre, pas dëshmisë së të penduarit Klevis Alla. Ai i tha prokurorëve se ata ishin porositur nga Talo Çela për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia. Për disa ditë me radhë, ata kishin vëzhguar lëvizjet e vëllezërve dhe planifikuar krimin. Por, pak ditë para se të kryenin vrasjen, ata janë tërhequr, pasi Enver Diva është infektuar me Covid-19 dhe për këtë shkak ishte karantinuar.
Sipas të penduarit, për këtë fakt Xhixha e Diva kishin debatuar ashpër me Nuredin Dumanin. Në këtë situatë, sipas deklarimeve të Kevis Allës, ekzekutimi i vëllezërve është kryer nga të akuzuarit e tjerë dhe se shenjestër ishte vetëm Besmir Haxhia.
Sipas SPAK, ngjarja e 27 prillit tek tregu i makinave në Durrës kishte si motiv një përplasje mes Talo Çelës dhe Besmir Haxhisë, për humbjen e disa parave të vjedhura në grabitjen e Rinasit.