Aktualitet “Nuse ose plumbin”, nga negociatat tek vrasja në lokalin e Klosit, vëllai...

“Nuse ose plumbin”, nga negociatat tek vrasja në lokalin e Klosit, vëllai i autorit: Po ta dija që kishte armë, do e ndaloja

Fatmir Mjeshtri, vëllai i Fiqiriut, autorit të masakrës së 12 tetorit 2022 në qendër të Klosit tregon momentin fatal.

E gjitha kishte nisur pasi vajza e Fiqiriut, sipas tyre ishte shantazhuar nga Kenado Shira me foto intime. Kjo kishte bërë që vajza të binte në depresion madje nuk shkonte në shkollë.

Vëllezërit e Fiqiri Mjeshtrir, Fatmiri dhe Besniku ishin futur si ndërmjetës për të zgjidhur konfliktin për të cilën Fiqiriu kishte dhënë si propozim që dy të rinjtë të martoheshin. Nëse nuk do e bënte atëherë djalin e priste plumbi.

Takimi ndërmjetës ishte bërë një ditë para vrasjes.

“Futesha unë që të zbutej sherri, pasi vëllai im ishte më i revoltuar. Një natë para unë takova babain e djalin. I thamë çfarë borxhi të kemi dhe pse e bërë?

Hajde të rregullojmë që të mos shkojnë punët për keq. Vëllai më tha ti çoja mesazh Ilirit (Shira): ‘Çoji të fala dhe thuaji do të të vras çunin nëse nuk e merr për grua. Kujdes merri gjërat me seriozitet’. Deklaratën e vëllait nuk e mora seriozisht që do të ndodhte. Vajza kaloi në depresion dhe la shkollën”.

Dita e masakrës

Të nesërmen është bërë takimi tjetër mes Ilir Shirës, djalit të tij dhe vëllait të madh të Fiqiriut. Sërish nuk kanë rënë në një dakordësi dhe janë larguar për tu ritakuar për herë të dytë ku Ilir Shira ka vënë në dispozicion të vëllezërve dhe Fiqiriut mesazhe sipas të cilave ata konfirmonin se vajza kishte pasur lidhje dhe me një djalë të dytë.

Është vendosur të bëhet dhe një ballafaqim me djalin e dytë.

“Dy çunat nisën me u tall me gocën. Merre ti për nuse, jo unë për nuse. Vëllai im tha: Ju po talleni. U ngrit nga tavolina në këmbë. Ka nxjerrë armën dhe qëlloi.  Nuk e dija që kishte armë, se po ta dija do e ndaloja. Nga frika ika me vrap drejt shtëpisë”.

Më pas policia ka shkuar drejt tij dhe kanë kërkuar që të negociohej dorëzimi i Fiqiri Mjeshtrit.

“Policët erdhën. Morëm vëllanë në telefon dhe i thonim të dorëzohej. I flisnim, por ai kishte kaluar në depresion” tregon Fatmiri.

Dy vëllezërit Fatmir dhe Besnik Mjeshtri u ndaluan dje të dyshuar si bashkautorë të masakrës, por sot ata janë lënë të lirë. Familja Mjeshtri do të përcjellë për në banesën e fundit vëllanë i cili u përpoq të mbronte vajzën e tij.

“Na ndodhi fatkeqësia e Zoti na bëftë me dritë”, thotë Fatmiri.

Fiqiri Mjeshtri qëlloi me armë duke vrarë Kenado Shira, 17 vjeç dhe të atin Ilir Shira 46 vjeç, ndërsa mbetën të plagosur Renato Hasula 14 vjeç dhe babain e tij Eglantin Hasula, 39 vjeç. Më pas policia tha se Fiqiri Mjeshtri kishte vrarë veten.