Kosova Nxirrnin foto dhe video intime të vajzave, arrestohet administratori i grupit Albkings

Nxirrnin foto dhe video intime të vajzave, arrestohet administratori i grupit Albkings

Është arrestuar në Kosovë një person i dyshuar si administrator i grupit “Albkings” në rrjetin social “Telegram”.

Ky grup është i njohur, pasi aty shpërndahen foto dhe video intime të vajzave dhe grave shqiptare.

Mbyllja e këtij grupi ishte tentuar disa herë nga autoritetet, por pa sukses.

Përmes një njoftimi Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur se po kryhen hetime për identifikimin dhe arrestimin e administratorëve të këtij grupi.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se pas publikimit të informatave në media për aktivitetet e grupit “Albkings” në rrjetin social “Telegram”, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar hetime dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Njësinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup, e përmes së cilit është bërë shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave në aplikacionin e lartcekur, përfshirë edhe të dhënat personale të tyre për ofrimin e shërbimeve seksuale”, thuhet në njoftim.

Prokuroria shton se pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në orët e vona të dt.16.04.2024, është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, sipas KPRK-së.

Prokuroria shton se në koordinim me policinë do të vazhdojnë të ndërmerren veprimet e tjera shtesë hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.