Një rezervuar me gjarpërinj dhe krokodilë si dhe një mur i elektrizuar për të ndaluar emigrantët nga Meksika që të hyjnë në territorin amerikan. Janë këto propozimet e kreut të shtëpisë së bardhë sipas asaj që raporton Nju Jork Tajms.
New York Times shkruan se Donald Trump ka folur shpesh me bashkëpunëtorët e tij për idenë e përforcimit të murit në kufi me Meksikën, me një rezervuar me gjarpërinj dhe krokodilë. Sipas të përditshmes amerikane, që citon dhjetëra drejtues amerikanë, Presidenti ka folur disa herë për këtë temë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka propozuar dhe që emigrantët të qëlloheshin në këmbë nëse përpiqeshin të kalonin kufirin. Këtë propozim ai e bëri gjatë një takimi në muajin mars me këshilltarët në studion ovale. New York Times bazohet në disa intervista me zyrtarë të ndryshëm të administratës së Shtëpisë së Bardhë që kanë qenë pjesë e takimit.
Dhe gjatë një fjalimi në muajin nëntor Trump kishte sugjeruar që të qëlloheshin emigrantët që gjuanin me gurë. Por ai u tërhoq kur i thanë se ishte diçka e paligjshme. Më pas kreu i Shtëpisë së Bardhë kaloi në idenë e një rezervuari me gjarpërinj dhe krokodilë si dhe në elektrizimin e murit në kufi.