Nga Alessia Selimi
Shtëpia është aty ku ndodhet zemra dhe zemrën, Oana Anca Mihaela duket se e ka të ndarë në dy pjesë. Ndonëse ka lindur dhe ka jetuar pjesën më të madhe të kohës në Rumani, nuk e harron kurrsesi Shqipërinë. E etur dhe e magjepsur për të mësuar gjuhën tonë, Oana mbërriti në Tiranë në vitin 1996. Për 7 vite radhazi, ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë. Sot ajo punon në bibliotekën e Slatinës, një qytet i vogël në Jug të Rumanisë. Nuk mund të mos jetë çdo ditë e rrethuar nga pluhuri e aroma trallitëse e librave. E megjithatë, Oana është e angazhuar shumë edhe me përkthimin e tyre, nga shqipja në rumanisht. Sikundër mund të kuptohet, gjuha jonë, kjo degë e veçantë e familjes indo-europiane, është një bashkëshoqëruese besnike.
Gazeta Mapo ka rënë në kontakt me rumunen që flet shqip dhe dashuron vendin tonë, dhe nxit një udhëtim në të shkuarën e saj. Për të njohur paksa më mirë Oanën studente dhe çapkëne. “Jeta zgjodhi për mua ose më konkretisht, Shqipëria dhe shqipja më zgjodhën, më tërhoqën në këtë aventurë, që në fund doli si një përrallë dashurie midis meje dhe atdheut të dytë, si shpesh herë e quaj”– kështu e nis rrëfimin e saj Oana, me një buzëqeshje të lehtë e të ngrohtë. “I ndërpreva studimet që i vazhdoja në vendin tim, sepse pranova një bursë për të mësuar një gjuhë të rrallë, atë të zemrës sime. Sot mund të quhem albanologe, pasi vazhdova për gjuhësi dhe jo letërsi”.
Komunikimin me Oanen e bëjmë online, sepse ajo është larg. Në profilin e saj në FB dallon lehtësisht gjurmë dhe simbole shqiptare. Kur e pyesim për momentet që i kanë shenjuar në kujtesë, merr frymë thellë. “Jam e mbytur me kujtime dhe me vështirësi mund të veçoj ndonjë. Bazohen në realitetin që përjetova duke shkelur e marrë frymë në tokën shqiptare, duke u përpëlitur bashkë me shqiptarët, në gëzime ose në vuajtje. I kam akoma të gjalla. Lidhen me njerëz, shoke apo miq të ngushtë, rrugë e rrugica, ambiente, shtëpi dhe zakone, që më janë futur në gjak dhe i zbatoj dhe sot në shtëpinë time. Madje, lejomëni t’ju them se kur më merr malli për Shqipërinë, tregoj, flas në detaje dhe në fund, gjithmonë them: nuk mund të vazhdoj sepse më erdhi tashmë në hundë era e saj. Një erë që nuk më mërzit kurrë, por as nuk dua të qaj kur e kujtoj”– shprehet Oana, e kapluar nga emocionet, ndonëse tërësisht e kthjellët për t’u rikthyer në të tashmen.
“Jam në dijeni me çdo gjë që ndodh në Shqipëri, sepse dita ime fillon me shtypin shqiptar. Nuk besoj se në jetën e dikujt faktet mund të ndodhen vetëm rastësisht. Ka mundësi të ndërhyjë edhe fati. Kësisoj, kam zbuluar shkrimtarin Thanas Medi. Me origjinë arumune, që patjetër ka ndikuar, e shikoj si një shkrimtar të madh që sot e ka Shqipëria. Me stilin e tij të veçantë, të pikasur ngahera në tregimin “Këpucët”, kështu filloi një bashkëpunim midis nesh. I kam përkthyer tre tregime, njëra më e bukur se tjetra, të cilat më pas ia publikova në dy revista letrare rumune. Duke parë reagimin pozitiv të lexuesve, më bëri që të marr përsipër edhe përkthimin në gjuhën rumune të romanit më të vlerësuar në Shqipëri, “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”- tregon Oana.
Ajo ndalet edhe tek dallimet dhe të përbashkëtat që ka vendi ynë me Rumaninë. Me shumë gjasa, për shkak të misionit që ka përkthimi në vetvete. “Nëpërmjet përkthimit, shkrimtari kalon kufirin dhe jo vetëm atë fizik, ndarës të shteteve, por sidomos të ideve, të mendimit me të cilin një lexues i huaj shkrihet. Unë do të mbetem një njeri, një femër e dashuruar me Shqipërinë dhe shqiptarët. Ata që më njohin (nuk janë pak) e dinë këtë gjë, por mbetem një e huaj. Dhe, për këtë arsye, ajo çfarë më ngelet të them është se shteti shqiptar dhe miqtë e mi do të dinë të zgjedhin rrugën e duhur për një të ardhme ashtu sic e meritojnë. Shtetet tona janë më të vjetrat në këtë Europë. Sot duhet të hyjnë popujt si në familje, duke trokitur nëpër dyer, me të mirat dhe të këqijat e gjithsecilit…”- shprehet Oana, duke treguar padyshim maturi. “Kam dashuri të madhe për shqiptarët dhe do të tregohem subjektive po t’i përshkruaj. Megjithatë, s’mund t’i cilësoj veçse si njerëz të mrekullueshëm. Fundja, më kanë respektuar, mbrojtur dhe dashur”.
Oana e ka fituar prej vitesh aftësinë për të menduar në shqip, në kuptimin e përqendrimit, zgjedhjes së fjalëve dhe caktimin e kohëve të foljes. E dëshmon edhe përmes poezive të saj, të cilat nuk ngurron t’i ndajë me miqtë shqiptarë. Ku i lexohet qartazi shpirti. Mapo ka përzgjedhur një fragment të njërës prej tyre.
“Kam frikë të endem si femër e dëshpëruar,
pas mishrave, pas prekjeve që mbeten në hije.
Nuk kam turp nga njerëzit e bukur,
kur më vështrojnë duke numëruar eshtrat,
duke fryrë drejt detit, ta zhvesh prej diellit,
të qendroj pa dritë, vdekja të trembet nga gjumi im…”
Kështu largohemi prej rumunes Oanë, tek e cila gurgullojnë gërmë e fjalë të gjuhës shqipe, me premtimin për një kafe nga afër kur të vizitojë së shpejti Tiranën.