Ish-presidenti amerikan Barak Obama ironizoi Donald Trump gjatë një tubimi në Florida, për ankesën e tij se media është fokusuar më shumë se ç’duhet tek kriza e koronavirusit. Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, e ka braktisur së fundmi qëndrimin tradicional ku një ish lider nuk e kritikon publikisht pasardhësin e tij, duke drejtuar një seri akuzash ndaj Trump, veçanërisht për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.
Ndërsa ju referua numri të lartë të viktimave nga COVID-19, Obama u shpreh: “Cili ishte argumenti i tij? Që njerëzit janë shumë të fokusuar tek koronavirusi. COVID, COVID, COVID, u ankua i bezdisur në një prej tubimeve të tij. Me sa duket është xheloz për mbulim mediatik që po siguron COVID”.
Ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi më tej se nëse Trump do të ishte fokusuar që prej fillimit tek pandemia, infektimet nuk do të arrinin nivele të tilla rekord, dhe Shtëpia e Bardhë nuk do të kishte shpërthimin e dytë të rasteve në një muaj.
Një bashkëpunëtor i zëvendëspresidentit Mike Pence, rezultoi pozitiv me COVID-19, dy javë pasi familja presidenciale dhe një pjesë e madhe e stafit të Shtëpisë së Bardhë u infektuan me koronavirus. Fjalimi i Barack Obamës, vjen ndërsa të dhënat tregojnë se mbi 70 milionë amerikanë e kanë hedhur tashmë votën e tyre. Shifrat sugjerojnë se këtë vit mund të regjistrohet pjesëmarrja më e lartë në më shumë se një shekull.