Bota Objektivi i Merkel: Të përgjysmojmë rastet në një javë. Por përpara kemi...

Objektivi i Merkel: Të përgjysmojmë rastet në një javë. Por përpara kemi 4 muaj luftë

“Duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se jemi në një pandemi dhe se kjo është një ngjarje e veçantë”, deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel në një konferencë shtypi në Berlin, duke iu përgjigjur pyetjeve ditën kur filloi gjysmë bllokimi në Gjermani.

”Ndoshta mund të thuhet se kjo është një ngjarje që ndodh një herë në shekull”, deklaroi Merkel.

“Kemi katër muaj të gjatë dimri përpara dhe drita në fund të tunelit është mjaft larg”, theksoi Merkel, duke theksuar se ”kjo është si një katastrofë natyrore”.

Merkel u kërkoi gjermanëve të ndjekin kufizimet e reja, që kanë hyrë sot në fuqi, veçanërisht reduktimin drastik të kontakteve, për gjithë muajin nëntor, për të arritur një kthesë në luftën kundër pandemisë.

Objektivi: 50 raste për 100.000 banorë

Kancelarja germane nuk e përjashton mundësinë që lockdown-i mund të shkojë përtej muajit të parashikuar. “Nëse arrijmë gjatë katër javëve të ardhshme të ngadalësojmë qarkullimin e virusit, atëherë ne do të kemi kushtet e nevojshme për një muaj dhjetor më të durueshëm”, shtoi ajo duke parashikuar se drita në fund të tunelit ishte ende larg.

Vendimtar sipas kancelares do të jetë arritja e objektivit kryesor, ulja e kurbës, rastet e reja të jenë nën 50 për 100 mijë banorë në javë. Aktualisht të dhënat gjermane janë 128 raste të reja për 100 mijë banorë në shtatë ditët e fundit. Sot instituti Robert Koch raportoi 12.000 raste të reja në Gjermani, por të dhënat e së hënës nuk merren për bazë, pasi në fundjavë bëhen shumë më pak tampone. Të shtunën e kaluara rastet e reja ishin mbi 20 mijë në 24 orë.

“Kjo është në duart e secilit për të arritur këtë muaj suksesin tonë të përbashkët, për të arritur një kthesë”, deklaroi drejtuesja në një konferencë “edukative” shtypi në Berlin.

Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi se festat e fundvitit, përfshirë Krishtlindjet, do të reduktohen në bashkime të kufizuara familjare, ndërkohë që kufizimet e reja hynë në fuqi në të gjithë vendin për një muaj.

“Këto do të jenë Krishtlindje nën kushte të vendosura nga koronavirusi, por nuk do të jenë Krishtlindje në vetmi (…), ne duhet të mendojmë për takime familjare të ngushta, ndoshta me masa paraprake”, theksoi drejtuesja konservatore në një konferencë shtypi.

Masat

Në të gjithë Gjermaninë do të mbyllen deri në fund të nëntorit objektet e kulturës dhe aktiviteteve në kohë të lirë. Kafenetë dhe restorantet do të punojnë vetëm për shitjen e mallrave jashtë objekteve, pra mund të shesin ushqime që mund të merren me vete. Edhe për takimet e personave janë ashpërsuar masat: në ambiente të hapura mund të takohen vetëm anëtarët e dy familjeve, e kjo vlen pjesërisht edhe për takime në objekte të mbyllura. Hotelet nuk do të pranojnë turistë. Dyqanet edhe më tej mbeten të hapura, por me kushte shumë më të rrepta se deri tani. Shkollat dhe kopshtet mbeten të hapura.

Masat do të vlejnë tani për tani deri në fund të nëntorit. Nga mesi i muajit do të bëhet një bilanc i këtyre masave dhe do të shihet nëse ato kanë dhënë rezultatet e duhura. Por në përgjithësi mund të thuhet se masat e tanishme nuk janë aq të ashpra si në pranverë. Qëllimi është kufizimi i kontakteve, që të mos mbingarkohet sistemi shëndetësor në Gjermani – në veçanti puna e stacioneve intensive.