Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar se Covid-19 nuk përfaqëson më një “urgjencë globale shëndetësore”.
Ky është një hap i madh që vjen 3 vite pasi OBSH deklaroi për herë të parë alarmin për virusin.
Zyrtarët thanë se shkalla e vdekjes së COVID-19 kishte rënë nga më shumë se 100,000 njerëz në javë në janar 2021 në pak më shumë se 3,500 më 24 prill.
Nga fillimi i pandemisë, sipas OBSH-së vdiqën të paktën 20 milionë persona në botë për shkak të Covid, por sipas shifrave zyrtare (sëmundja e diagnostifikuar me tampon) janë 7 milionë viktima.
Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi se virusi mbetej një kërcënim i rëndësishëm.
Njoftimi nuk ka ndikim konkret sepse secili vend vendos vetë se cilat masa mbrojtëse do të marrë.
“Koronavirusi nuk është mposhtur. Ai vazhdon të qarkullojë në botë, është i rrezikshëm dhe ende mund të zhvillojë variante të rrezikshme në çdo kohë”, theksoi Tedros.
Sidoqoftë, OBSH-ja po ndjek rekomandimin e një komiteti të pavarur ekspertësh, sipas të cilit bota ka mjete të mira për të mbrojtur njerëzit nga virusi.
Përveç vaksinave dhe ilaçeve, këto përfshijnë masa mbrojtëse si mbajtja e maskave ose ruajtja e distancës në hapësirat e brendshme të mbipopulluara.