Ndërsa në shumë vende po përgatitet të nisë sezoni i ri shkollor, duhet të bëhen përpjekje për të luftuar pandeminë në komunitetet ku jetojnë fëmijët dhe mësuesit, tha sot shkencëtarja e lartë e OBSH-së, Maria Van Kerkhove.
“Nëse koronavirusi i ri po përhapet me shpejtësi nëpër komunitete, ai mund të hyjë edhe në shkolla”, tha ajo në një konferencë për shtyp në Gjenevë.
“Është vërtet me rëndësi që ne të vëmë nën kontroll shpërndarjen dhe transmetimin e virusit në zonat ku funksionojnë shkollat”, tha Van Kerkhove, në përgjigje të pyetjes nëse OBSH-ja e këshillon rihapjen e shkollave ndërkohë që rastet po rriten në disa vende të Europës.
Van Kerkhove pranoi se njohuritë shkencore janë ende të kufizuara në lidhje me fëmijët dhe transmetimin e virusit, duke thënë se studimet janë paraprake dhe të pakta.