Ndalimi i udhëtimeve ndërkombëtare është një masë që nuk mund të qëndrojë në fuqi pafundësisht. Kështu ka deklaruar Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka nënvizuar se COVID-19 mund të luftohet vetëm duke zbatuar masat shëndetësore.
Një rritje e rasteve të infektimit e verifikuar në javët e fundit në mbarë botën ka detyruar disa shtete që të rivendosin kufizimet e udhëtimeve, me shpresën se kështu do të frenojnë përhapjen e epidemisë.
Doktor Mike Ryan, shef i programeve të emergjencës pranë OBSH-së, ka nënvizuar se është e pamundur që vendet t’i mbajnë kufijtë mbyllur në të ardhmen.
“Do të jetë thuajse e pamundur për vendet t’i mbajnë kufijtë e tyre të mbyllur në të ardhmen. Kjo, pasi ekonomitë duhet të hapen, njerëzit duhet të punojnë dhe tregtia të rifillojë”, ka deklaruar Ryan.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i OBHS-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus deklaroi se vetëm duke iu përmbajtur në mënyrë strikte masave shëndetësore bota do të mund ta menaxhojë pandeminë.
“Kjo është hera e gjashtë që është shpallur një emergjencë shëndetësore globale, por është edhe më e rënda. Aktualisht në OBSH janë raportuar mbi 16 milionë raste infektimi dhe mbi 640 mijë vdekje dhe epidemia vazhdon të përhapet me shpejtësi. Në 6 javët e fundit numri i rasteve është thuajse dyfishuar”, ka theksuar Ghebreyesus.
Kreu i OBSH-së shtoi se shpreson që vendet e prekura nga COVID-19 do të bëjnë më shumë përpjekje që qytetarët e tyre të mbajnë maskën mbrojtëse dhe të shmangin grumbullimet.