Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se imuniteti i masës nuk mund të përdoret për të luftuar Covid-19. Madje e konsideron atë një koncept të rrezikshëm në mungesë të një vaksine efektive dhe nuk mbron personat më të rrezikuar të shoqërisë.
“Njerëzit nuk janë kope. Kështu që koncepti i imunitetit të masës është në përgjithësi i bazuar në përllogaritjen e personave që do të duhet të vaksinohen në një popullatë në mënyrë që të gjenerohet efekti i njëjtë. Mendoj se duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm kur e përdorim termin në këtë mënyrë përhapjeje natyrale të infeksionit te njerëzit, sepse mund të çojë në një aritmetikë brutale, e cila nuk vendos njerëzit, jetën dhe vuajtjet në qendër të atij ekuacioni.
Ndoshta disa shtete mund ta përfitojnë në mënyrë magjike imunitetin e masës. Por çfarë ndodh nëse humbasin disa të moshuar gjatë kësaj rruge. Mendoj se kjo është një përllogaritje e rrezikshme. Por, unë besoj se shtetet anëtare, të përgjegjshme, do të kujdesen për popullatën e tyre”, u shpreh Michael Ryan, drejtor ekzekutiv i Programit të Emergjencës Shëndetësore i OBSH.