Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron se kriza me Covid-19 mund të shkojë keq e më keq. Kreu i saj, Tedros Adhanom Gebrejesus, kritikoi vende të shumta të botës, duke thënë se po shkojnë në drejtim të gabuar.
“Dua të jem i hapur, shumë vende po shkojnë në drejtim të gabuar. Virusi mbetet armiku publik numër një, por veprimet e shumë qeverive dhe njerëzve nuk e reflektojnë këtë. Synimi i vetëm i virusit është të gjejë njerëz dhe t’i infektojë. Mesazhe të ndryshme nga liderët po minojnë përbërësin kryesor të kundërpërgjigjes, besimin.
Nëse qeveritë nuk komunikojnë qartësisht me qytetarët e tyre dhe të ndërmarrin një strategji gjithëpërfshirëse të fokusuar në frenimin e përhapjes dhe në shpëtimin e jetëve, nëse popullata nuk ndjek principet bazike të shëndetit publik si distancimi fizik, larja e duarve, mbajtja e maskës, etika e kollitjes dhe qëndrimi në shtëpi nëse është i sëmurë, pra nëse sjelljet bazike nuk ndiqen, kjo pandemi do të shkojë vetëm në një drejtim. Do të bëhet keq e më keq”, tha kreu i OBSH-së.