Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kërkoi që të bëhet kujdes lidhur me çështjen e trajtimit të COVID-19 me plazmën e gjakut që merret nga personat që kanë kaluar koronavirusin.
Shkencëtarja, Soumya Swaminathan me detyrë në OBSH në një konferencë për media ka bërë një vlerësim lidhur me miratimin për “përdorim emergjent” të trajtimit me plazmë nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).
Swaminathan tha se rezultatet e trajtimit të plazmës në luftën kundër COVID-19 nuk janë përfundimtare. Aktualisht ofrohen prova në cilësi shumë të ulët”, tha ajo.
“Sigurisht që vendet mund të bëjnë një listë të situatave emergjente kur mendojnë se përfitimet janë më shumë se rreziqet, por kjo në përgjithësi bëhet kur priten prova përfundimtare”, deklaroi Swaminathan duke shtuar se OBSH e sheh ende si eksperimentale trajtimin e plazmës.
Martin Landray nga Universiteti i Oxford-it tha se trajtimi me plazmë jep “shpresë të madhe” por se aktualisht nuk ka ndonjë provë se ajo funksionon. “Ka një hapësirë (greminë) të madhe mes teorisë dhe provës”, vlerëson ai.
Landray i cili ndodhet në ekipin që zhvillon punime në çështjen e trajtimit të plazmës në Britani, shtoi se për të marrë një përgjigje në këtë çështje duhet të bëhen hulumtime me pjesëmarrjen e disa mijëra të sëmurëve.
Ndërkohë Stephen Griffin nga Universiteti i Leeds-it ka bërë të ditur se ka ende një paqartësi të konsiderueshme lidhur me mënyrën se si sistemi imunitar i përgjigjet COVID-19 dhe se kjo situatë vështirëson trajtimin e mundshëm të plazmës. “Mesa duket nuk është nxjerrë mësim nga hydroxychloroquine”, shtoi Griffin.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump e cilësoi si një pikë kthese vendimin e Administratës Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për trajtimin e COVID-19 me plazmë.