Bota Ofensiva në Rafah nis më 10 mars, Izraeli: Do ndërhyjmë nëse s’lirohen...

Ofensiva në Rafah nis më 10 mars, Izraeli: Do ndërhyjmë nëse s’lirohen pengjet

Izraeli i ka dhënë afat Hamasit deri më 10 mars, datë që përkon edhe me nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit për lirimin e pengjeve të tij dhe evakuimin e civileve në të kundërt do të nisë ofensivën tokësore në Rafah.

“Bota duhet ta dijë po ashtu edhe udhëheqësit e Hamasit se nëse deri në Ramazan pengjet tanë nuk janë në shtëpi, luftimet do të vazhdojnë kudo përfshirë edhe zonën e Rafahut. Hamasi ka një zgjedhje. Ata mund të dorëzohen, të lirojnë pengjet dhe civilët e Gazës që të mund të festojnë muajin e Ramazanit”, tha Benny Gantz, Gjeneral i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit.

Para deklaratës së gjeneralit Gantz, Izraeli nuk kishte caktuar një afat për nisjen e ofensivës në Rafah ku strehohen rreth 1.5 milionë e palestinezëve të zhvendosur nga lufta. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ministrit të Jashtëm palestinez Riyad Al-Malki i cili tha në Gjykatën e Lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara se populli i tij po vuan kolonizimin dhe urrejtjen racore teksa gjyqtarët janë të zënë me ‘peshimin’ e pasojave ligjore të pushtimit të Izraelit.

“Palestinezët kanë duruar kolonizimin  dhe urrejtjen racore… Ka nga ata që acarohen nga këto fjalë në vend që të acarohen nga realiteti që ne po vuajmë”, tha ministri i Jashtëm i Palestinës, Riyad Al-Malki.

Tensionet në Rripin e Gazës po ashtu janë shoqëruar edhe nga disa tubime pro popullit palestinez.

Në Romë dhjetëra persona protestuan pranë godinës së televizionit shtetëror RAI që sipas tyre është i njëanshëm në transmetimin e zhvillimeve në Gaza.

Tubimi i nisur ne Romë u pasua edhe nga protesta në Milano, Torino, Firence, Napoli dhe Bolonja ku nuk munguan as përplasjet me policinë. Si pasojë disa persona mbetën të plagosur.