E ardhmja e Romelu Lukakut tek Interi mbetet në dyshim. Chelsea, pasi e kuptoi që e kishte të pamundur të blinte Haalandin nga Borussia e Dortmundit, nisi ofensivën duke i ofruar sulmuesit belg një pagë prej 15 milionë eurosh (përfshirë bonuset), ndërsa klubit zikaltër 100 milionë euro plus kartonin e Marcos Alonsos.
Drejtuesit e Interit, të kontaktuar drejtpërdrejt nga homologët e tyre të bluve të Londrës, duke shmangur ndërmjetësit, dhanë një përgjigje negative. Ata shpjeguan se numri 9 nuk është në shitje, pasi konsiderohet pjesë thelbësore e projektit të tyre.
Sidoqoftë, është e vështirë të parashikohet se cilat do të jenë zhvillimet e ardhshme, pasi merkatoja verore pritet të rezervojë të tjera lëvizje deri në mbylljen e saj. Çfarë do të ndodhë nëse Abramovic e rrit ofertën e tij në 130 milionë plus anësorin spanjoll? A do të tundohet Interi apo do të rezistojë? Mbi të gjitha, cili do të jetë qëndrimi i Lukakut?
100 milionë euro, plus kartonin e Marcos Alonsos, të cilin Interi e kishte kërkuar kur po bisedonte me Chelsea-n për Hakimin, do të thotë një propozim me vlerë totale 115-120 milionë euro. Shumë para, veçanërisht në futbollin pas Covidit. Megjithatë klubi zikaltër nuk hezitoi të thotë “jo”.
Zhang dhe drejtuesit e tjerë mendojnë që paratë e nevojshme për të mbyllur këtë sesion merkatoje me plus 80 milionë euro, shumë që kërkohet për rregulluar bilancin, mund të gjenerohen me shitje të tjera më pak të dhimbshme se ajo e sulmuesit belg,
Në fund të fundit, Marotta gjithmonë ka theksuar se pas largimit të Hakimit drejt PSG-së nuk do të kishte një tjetër lamtumirë nga emrat e mëdhenj, një premtim që i është bërë gjithashtu trajnerit Simone Inzaghi, për ta bindur që të mos rinovonte kontratën me Lazion.
Pa Lukakun, Interi nuk do të ishte më i njëjti, sepse largimi i dy lojtarëve më vendimtarë nga skuadra kampione do të ishte e barabartë me ngritjen e flamurit të bardhë, pra atë të dorëzimit, në garën për titull.
Është e lehtë të imagjinohet që Inzaghi është shumë i shqetësuar për projektin e i tij, që rrezikon të shembet pa nisur sezoni. Pak a shumë si ajo që ndodhi me Milanin e Allegrit, kur Thiago Silva dhe Ibrahimovic u shitën së bashku te PSG.