Gazetari Xhevahir Zhabina dha detaje për operacionin e urdhëruar nga Prokuroria e Posaçme në Elbasan. Ai tha se gjatë natës së djeshme në Elbasan ka patur shumë kontrolle dhe ka qenë një operacion ku një pjesë e oficerëve kanë lëvizur me taksi për të mos rënë në sy dhe jo me makina të blinduara si më parë.
“Operacioni është shtrirë në disa vende si Italia, Spanja. Në këtë rast dyshohet se kemi të bëjmë me një grup kriminal që sillte drogë nga Amerika Latine në Shqipëri dhe shumica e personazheve të krimit ndodhen atje. Prokuroria ka bërë vetëm një njoftim të shkurtër.
Njoftimi zyrtar për këtë çështje është vendosur të jepet nesër, ajo që bën përshtypje është që të gjithë bëhen bashkë në Elbasan si trafikantët, gjyqtarët dhe policët. Sot kemi një personazh si Dedan Gjoni që kudo që ka punuar ka qenë i lidhur me krimin e organizuar dhe e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Durrës ku i ka nxjerrë grupit rival në pritë një person që e nxori nga burgu për transferim. U tregoi orën e saktë në mënyrë që ta vrisnin.
Ka qenë një operacion që s’ka rënë edhe shumë në sy ku shumë oficerë kanë lëvizur edhe me taksi nëpër qytet dhe kanë ndjekur një mënyrë tjetër për të mos rënë në sy. Ata po kërkonin në disa zona dhe në fund ka rezultuar që ishte i suksesshëm. Nesër pritet të dalin edhe emrat e të konfirmohet sa i suksesshëm ishte. Atëherë nëse kjo konfirmohet atëherë ata që janë nën akuzë janë automatikisht të arrestuar”, tha Zhabina në emisionin “Të Paekspozuarit”.