Zbardhen detaje të reja nga dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme për Rexhep Rapin, i njohur si Kep Arapi. Ky i fundit dyshohet se tentoi eliminimin e kundërshtarit të tij Xhevdet Plaku për motive hakmarrjeje.
Në dokumentet e SPAK thuhet se në momentin kur oficeri i policisë Dedan Gjoni informoi se do ta nxirrte Plakun nga dera e pasme e komisariatit të Durrësit, Kep Arapi organizoi grupin e armatosur me qëllim që ta ekzekutonte atë.
Por, vrasja nuk u realizua, pasi Dejvi Gjermëni i kërkoi Algert Rapit, nipit të Kep Arapit, që ky i fundit dhe njerëzit e tij të tërhiqeshin, nga frika se mos zbuloheshin, pasi Dedan Gjoni ja kishte përcjellë të dhënat në aplikacionin WhatsApp dhe jo në një telefon të enkriptuar. Në një bisedë të përgjuar, Gjermëni dëgjohet t’i thotë Algert Rapit: “Çfarë bën ai kështu o burrë, ne nuk e lamë kështu”. “Thuaj atyre (me kallashnikov) të ikin se ai (Plaku) nuk është më aty në rajon, e kanë liruar.”
Vrasja e Xhevdet Plakut ishte planifikuar të realizohej më datë 17 shtator 2019, në Durrës. Në atë kohë ai ishte shoqëruar në komisariat nga ish-oficeri i policisë Dedan Gjoni, me pretendimin se përdorte makinë të blinduar. Në polici ai ka qëndruar nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 20:10 minuta të mbrëmjes.
Plani për të ekzekutuar Xhevdet Plakun i njohur si ‘Akili’ u zbulua nga përgjimet e autoriteteve holandeze të bisedave të Dejvi Gjermënit, i hetuar për çështje të trafikut të drogës në Holandë.
Gjatë përgjimeve u zbulua se Dejvi Gjermëni, këto plane ia tregoi Toni Dervishit, i cili u ekzekutua në Durrës, në shtator të 2023 tek shinat e trenit në Sukth të Durrësit. Gjatë bisedës ai i tregon se ishte ish-polici Dedan Gjoni që e ka nxjerr në pritë Xhevdet Plakun.
Dejvi Gjermëni i tregon Toni Dervishit që ish-polici ka zhvilluar edhe një takim me Kep Arapin në lokalin e këtij të fundit te Gjiri i Lalzit.
SPAK ka dyshime se Rexhep Rapi i njohur si Kep Arapi, nipi i tij, Algert Rapi, Dejvi Gjermëni dhe oficeri i policisë Dedan Gjoni, krijuan kushtet për vrasjen e Plakut, për motive hakmarrjeje.
Kep Arapi e akuzonte Xhevdet Plakun, personazh shumë i njohur në botën e krimit, si autor të vrasjes së vëllait të tij, Sali Rapi në vitin 2000 në Savona të Italisë. Plaku ka 25 identitete dhe ngjarja në vitin 2000 dyshohet të ketë ndodhur për prishje të pazareve të drogës./Tv Klan