– Pjesa e pestë, pjesën e katërt e lexoni këtu–
Me shumë nostalgji kujtojë kohën që kam punuar në “Ofiçinën mekanike” të minierës Memaliaj.
Ofiçina shërbente për mirëmbajtjen e makinerive të minierës. Gjithashtu edhe për riparimet e pjesëve të makinave që punonin dhe konsumoheshin. Në vitin 1956, para se të më emëronin, përgjegjës së ofiçinës, ose shefi, siç i thoshin më thjesht, ka qenë, Misto Gjoka. Në vitin 1957, më caktuan mua dhe Miston e çuam në “Repartin e teleferikëve” ose siç i thoshin në atë kohë, “Reparti i jashtëm”.
Nga kjo ofiçinë vareshin: Centrali elektrik, me dy motorat me naftë, që rrotullonin
gjeneratorët e mëdhenj elektrik, nga ku prodhohej energji elektrike, për furnizimin e vetëm të minierës. E dyta, ishin tre stacionet e kompresorave, një në çdo sektor. Miniera kishte tre sektorë, ku ishin hapur galeri në thellësi të kodrave; ku nxirrej qymyrguri dhe transportohej me koshat e teleferikut në bunkerët e mëdhenj; ku ngarkoheshin makinat e tipit “Zis” të parkut të Sarandës, me Skoda me turi, siç i thoshin, për në parkun e Vlorës dhe nga ku eksportoheshin jashtë shtetit. Po theksoj se ky qymyr, ishte më i miri i Shqipërisë. Kishte aftësinë më të madhe kalorifike. E treta, ishte reparti i makinerive ku kishte në punë: 2-torno, 1-frezë, trapano, saldatriçe dhe kovaçhanën.
Ofiçina, ndodhej pranë Drejtorisë së Minierës, që ishte një shtëpi përdhese me 6 zyra.
Ofiçina ishte një kapanon i lartë, ku ishin instaluar makineritë, me një ndarje në hyrje, ku ishte zyra e shefit dhe gjysma tjetër, një magazinë e vogël.
Kovaçhana, ishte jashtë godinës. Personeli i ofiçinës në kohën kur unë e kam drejtuar, janë këta: Vasil Vaso (shefi i ofiçinës), Isak Shehu (z/v shefi ofiçinës). Tornitorë kanë punuar: Pandeli Pando (më i miri), Pandeli Dushi, Mehmet Muçi dhe Niko Nikolla. Për pak desha harrova, shokun dhe mikun tim më të mirë, tornitorin Sefi Pazaj, ku kam qenë dhe në dasmën e tij në Bençë, së bashku me Isak Shehun. Sefiu, si futbollist, mbante fanellën me numrin 9.
Ndërsa axhustatorë, kanë punuar: Kristaq Papa (më i miri), Njazi Zaimi, Vesel Cukalla dhe njeriun e mirë, Faslli Malkaj, të cilin e kishim sekretar partie, për gjithë punonjësit e
ofiçinës. Në profesionin e kovaçit, kanë punuar: Mjeshtri, Hysni Çili që njihej me emrin Riko, një me mbiemrin Fejziu, ku emri nuk më kujtohet, pasi ka kaluar një kohë shumë e gjatë, Bajram Beqo dhe Xhevat Llanaj. Në profesionin e saldatorit, kanë punuar: Bajram Merdani dhe Hydajet Hysa. Mekanikë kanë punuar: Mjehstri, Koço Rajdho, Vasil Budri, Vasil Vongo, …etj.
Tek reparti i karikimit të baterive, që ndodhej në Sektoprin e I-rë, përtej lumit Vjosë, kanë punuar: Ilia Mustaqi dhe të tjerë, që nuk më kujtohen për momentin.
Kompresorista dhe tek Centrali, ishin shumë, por po përmend emrin e Kiço Karaj (kompresorist) dhe Minella Pasko (centralist).
Në ofiçinë, punohej me dy turne.
Më kujtohen elektrovozat, të cilat ishin makineri që tërhiqnin vagonat ngarkuar me qymyrguri. Rrotat e tyre, konsumoheshin duke lëvizur mbi shinat dhe krijohej një kanal rrethor. Për të mos i importuar, duhej të riparoheshin në ofiçinë.
Për të na ndihmuar, erdhi një specialist rus, trup madh dhe ishte rreth 50 vjeç.
Ato i riparonte saldatori, Bajram Merdani, i cili ishte një saltator i zoti.
Një mëngjes kur shkonim në ofiçinë, për një periudhë rreth 2 muajsh, specialistin rus e shoqëroja unë, duke komunikuar diçka rusisht.
Saldatriçia punonte jashtë ofiçinës, për të eliminuar gazrat dhe kishim vendosur një llambë ndriçimi 1.000.Wat.=1 Kw.
Më kujtohet, kur saldatorët ikën nga turni i dytë dhe e lanë dritën ndezur gjithë natën dhe specialisti rus, më tha:
– Pse ajo llambë është ndezur?
– E kanë harruar i thashë.
Në moment, më bëri një llogaritje.
Në një orë, harxhohen 1 kw, ndërsa në një ditë, harxhohen 24 kw dhe po t’i mbledhim, në një vit, harxhohen 8760 kw, duke e shumëzuar me një kosto për 1 k.w., doli një shumë baras, rreth 1.000.000 lek.
I kërkova falje dhe vura mend për gjatë gjithë jetës time. Që nga ai moment, nuk lë kot, asnjë llambë ndezur në shtëpinë time. Në konfidencë, një pasdite, më pyeti: Si do bëjmë për një “zhena”?, – që përkthehet “grua”, d.m.th. femër. Nuk ka mundësi i thashë, se këtu ta presin ….
Përgatiti Edmond Ismailati