Një ditë pasi sekuestroi prona të fisit Hajri, Operacioni Forca e Ligjit vijoi këtë të martë me sekuestrimin e të tjera pasurive të cilat dyshohet se vijnë nga aktiviteti i kriminal, këtë herë në qytetin e Shkodrës. Mësohet se disa prej pasurive të sekuestruara me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i përkasin familjes Doçi.
Në një njoftim për mediat, sqarohet se OFL sekuestroi një banesë një katëshe në lagjen Skënderbeg në pronësi të A. M.
U sekuestruan gjithashtu një banesë dykatëshe + një kat njësi shërbimi, e ndodhur në lagjen Fermentim, Shkodër; Pasuria e llojit arë me sipërfaqe 1541 m2 ; Pasuria e llojit truall me sipërfaqe 350 m2, në pronësi të M. D, banues në Nicaj.
Personit me iniciale A. D., me banim në lagjen Bleran, Njësia Administrative Rrethina, i është sekuestruar një banesë dy katëshe, e ndodhur në lagjen Bleran, Njësia administrative Rrethina, Shkodër; 3 automjete 1 motor.
Sekuestro u vendosën edhe për një banesë vilë katër katëshe, me pishinë dhe një automjet në pronësi të G. F. me banim në lagjen Skënderbeg.
Një tjetër personi me iniciale A. D. banues në lagjen Bleran, Njësia Administrative Rrethina i është sekuestruar një banesë trekatëshe, e ndodhur në Hot i Ri, Shkodër.
Ndërsa M. B., me banim në Grudë e Re, Shkodër, i është sekuestruar një banesë dykatëshe + një kat papafingo, e ndodhur në Grudë e Re dhe një automjet.
Autoritetet thonë se operacioni në fjalë vijon.
Të hënën, Operacioni Forca e Ligjit rrethoi resortin “Golden” të familjes Hajri në Shijak, disa anëtarë të së cilës janë arrestuar për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës.
Në sitën e kësaj strukture do të jenë të gjitha objektet, pronat dhe llogaritë bankare të anëtarëve të kësaj familje, të afërmve të tyre apo personave të tretë që dyshohet se mund të jenë përdorur për të transferuar pasuritë e krijuara përmes aktivitetit kriminal. Policia dyshon se pasuritë burojnë nga aktivitete kriminale. Policia dyshon se anëtarët e familjes Hajri janë përfshirë në aktivitete të paligjshme.