Policia e Shtetit ka sekuestruar disa makina të blinduara që ishin në pronësi të disa personazheve të njohur të drejtësisë të dënuar për vepra të ndryshme penale.
Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, me urdhër të drejtorit të përgjithshëm Ardi Veliu janë sekuestruar makinat e blinduara të shtetasve Saimir Taullau në Lushnje, Durim Bami në Krujë dhe Dashamir Gjoka në Durrës.
Saimir Taullau, banues në Lushnjë ka qenë i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Dashamir Gjoka, banues në Durrës ka qenë i dënuar në Itali për trafik të qenieve njerëzore.
Durim Bami, banues në Krujë ka qenë i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”.
Më herët këtyre shtetasve iu ishte dorëzuar edhe një formular për vetedeklarimin e pasurisë dhe justifikimin e burimit të të ardhurave në kuadër të ligjit special “Anti-KÇK”.
E njëjta procedurë është ndjekur edhe për disa individë të tjerë si Ardian Capja dhe Suel Çela në Elbasan, Altin Hajri në Shijak, Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishi në Durrës, si dhe fiset Bajri dhe Doçi në Shkodër.