Aktualitet OFL kërkon deklarimin e pasurisë nga 4 persona, mes tyre Genci Xhixha...

OFL kërkon deklarimin e pasurisë nga 4 persona, mes tyre Genci Xhixha i “Xibrakës”

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

Altin Çela, banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

Genci Xhixha, banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

Ergest Zhupani, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”;

Sulejman Sina, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Kujtojmë se Genci Xhixha është në kërkim pasi konsiderohet si një nga personat më të rëndësishëm të funksionimit të laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit.