Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur formularin e vetëdeklarimit të pasurisë dy personave në Shkodër, të cilëve u kërkohet që të justifikojnë pasurinë.
Personi i parë është Enver Bajri, i cili aktualisht është person nën hetim, pasi ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Gjithashtu, Gjykata e Bolonjës në Itali e ka dënuar me 9 vjet e 6 muaj burg, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni, e kryer në bashkëpunim”.
Enver Bajri konsiderohet si kreu i grupit kriminal “Bajri” në Shkodër.
Po kështu, formulari i OFL i është dërguar edhe Emrah Plakut, edhe ky person nën hetim, pasi ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”, thuhet në njoftimin e OFL.