Politika Ogerta Manastirliu dhe Belinda Balluku, të besuarat e Ramës që prej vitit...

Ogerta Manastirliu dhe Belinda Balluku, të besuarat e Ramës që prej vitit 2004

Ogerta Manastirliu dhe Belinda Balluku janë ndër emrat që u konfirmuan sërish në krye të ministrive të tyre nga kryeministri Edi Rama.

Ogerta Manastirliu është një emër i njohur në bashkëpunimin me Edi Ramën. Në vitin 2004, kur kryesocialisti mbante postin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Ogerta Manastirliu nisi punë në Drejtorinë e Koordinimit të Projekteve në bashki. Gjatë viteve 2005-2011, ka drejtuar Drejtorinë e Strehimit dhe Shërbimit Social po në bashkinë e Tiranës.

Në vitet 2011-2013, është angazhuar si eksperte për menaxhimin dhe koordinimin e politikave sociale dhe burimeve njerëzore për organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndërsa në periudhën shtator 2013–mars 2017, Manastirliu ka drejtuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Për herë të parë, Ogerta Manastirliu është dekretuar ministre e Shëndetësisë më 19 mars 2017.

Detyrë të cilën e mbajti vetëm 60 ditë pas marrëveshjes së Edi Ramës me Lulzim Bashën.

Manastirliu u rikonfirmua në kabinet pas fitores së zgjedhjeve në 2017-n.

Belinda Balluku e besuara e Ramës që prej vitit 2004

Belinda Balluku është bashkëpunëtore Edi Ramës që prej vitit 2004.

Në atë kohë, Balluku i ishte bashkuar stafit të Bashkisë Tiranë, që drejtohej nga Rama. Fillimisht si këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun dhe më vonë si Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë.

Prej vitit 2006, Balluku ka qenë pjesë Partisë Socialiste, ku ka drejtuar kabinetin e kryesocialistit gjatë periudhës janar 2011-janar 2012.

Më 9 janar 2019, Balluku emërohet ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke zëvendësuar Damian Gjiknurin.

Më herët, Balluku ka mbajtur postin e drejtorit të përgjithshëm të Albcontrol si dhe ka punuar më disa vite në fushën e telekomunikacionit në poste drejtuese.