Pothuajse gjysma e vdekjeve ndodhën në muajin e parë të foshnjave dhe shumica mund të parandaloheshin me kujdes më të mirë shëndetësor sipas aktivistëve.
Pesë milionë fëmijë në mbarë botën vdiqën para ditëlindjes së tyre të pestë në 2021, me pothuajse gjysma (47%) që vdiqën gjatë muajit të tyre të parë, sipas shifrave të reja të OKB-së.
Shumica e vdekjeve mund të ishin parandaluar me një kujdes më të mirë shëndetësor, thonë aktivistët, duke shtuar se vdekjet e foshnjave të porsalindura nuk janë ulur që nga viti 2017.
Shifrat, të publikuara nga Grupi i OKB-së për Vlerësimin e Vdekshmërisë së Fëmijëve, treguan se ndërsa nivelet e vdekshmërisë kanë rënë që nga viti 2000, progresi është ngadalësuar gjatë 12 viteve të fundit.
Dr Vandana Tripathi, nga OJQ EngenderHealth, tha se “mjerisht, 2.3 milionë të porsalindurit që vdiqën në muajin e parë të jetës është një shifër gati e njëjtë me vitin 2017. (Në 2017 vdiqën 2.5 milion foshnja).
“Kjo konfirmon se, pavarësisht progresit në shëndetësi, ka akoma shumë nevoja në forcimin e kujdesit të sigurt dhe cilësor të foshnjave”.
Fëmijët e lindur në Afrikën Sub-Sahariane kanë 15 herë më shumë gjasa të vdesin, në krahasim me fëmijët në Europë dhe Amerikën e Veriut.
Shifrat e OKB-së tregojnë gjithashtu se 1.9 milionë foshnja kanë lindur pa jetë gjatë vitit 2021, më shumë se tre të katërtat (77%) në Afrikën Sub-Sahariane dhe në Azinë Jugore. Rreziku që një grua të lindë një fëmijë pa jetë në Afrikën Sub-Sahariane është shtatë herë më i madh se sa për gratë në Europë dhe Amerikën e Veriut.
Lindja e parakohshme dhe komplikimet gjatë lindjes janë shkaktarët kryesorë të vdekjeve neonatale. Për fëmijët që mbijetojnë pas 28 ditëve të para, sëmundjet si pneumonia, diarreja dhe malaria përbëjnë kërcënimin më të madh.
“Çdo ditë, shumë prindër po përballen me traumën e humbjes së fëmijëve të tyre, ndonjëherë edhe para frymëmarrjes së tyre të parë”, tha Vidhya Ganesh, drejtoresha e analitikës, planifikimit dhe monitorimit të të dhënave në Unicef. “Një tragjedi e tillë e përhapur dhe e parandalueshme nuk duhet pranuar kurrë si e pashmangshme”, shtoi ajo.
Kristy Kade, drejtoresha e White Ribbon Alliance, e cila bën fushatë për shëndetin, të drejtat dhe barazinë gjinore të grave, tha se shifrat nuk ishin befasuese.
“Ne nuk po u kushtojmë vëmendje grave para se të mbeten shtatzënë”, tha ajo.
“Këto shifra janë rezultat i varfërisë, urisë dhe mungesës së strehimit. Ne nuk do të përmirësohemi pa u fokusuar te gratë”.
Ajo shtoi se kjo po ndodh edhe sepse në të gjithë botë ka largime të infermiereve dhe mamive nga puna për shkak të pagave.
“Mamitë dhe infermieret mund të jenë një shpëtim për këto raste”, tha ajo.
Ndërsa Covid-19 nuk ndikoi shumë në vdekshmërinë e fëmijëve, pandemia mund të ketë rritur rreziqet e mbijetesës, tha OKB.
Pandemia ka bërë që shumë fëmijë të mos kenë akses në vaksina të ndryshme, duke i bërë ato më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve të parandalueshme.