Në raportin e saj më të fundit rreth situatës socio–ekonomikë të krijuar në Shqipëri nga pandemia Covid–19, Organizata e Kombeve të Bashkuara ngre shqetësimin se sistemi shëndetësor në Shqipëri mund të ulë vëmendjen ndaj sëmundjeve të tjera që mund të trajtohen. Kjo sipas saj mund të sjellë më shumë humbje jete sesa po shkaktohen nga pandemia.
“Sistemi shëndetësor në Shqipëri mund të mbingarkohet shpejt nga pandemia e COVID-19, nëse nuk mbështetet si duhet. Vdekjet nga vetë pandemia mund të tejkalohen së shpejti edhe nga vdekjet për shkak të sëmundjeve të parandalueshme ose të trajtueshme, pasi nuk do të mund të menaxhoheshin më për shkak të mosfunksionimit të sistemit shëndetësor”.
Në raport thuhet se shpenzimet publike për shëndetësinë janë më të ulëta në Shqipëri sesa në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore. Ndërsa parashikimet për vitet 2020-2022 tregojnë një ulje të lehtë në 2.94% deri në vitin 2022.
“Projeksioni i OBSH për vitin 2020-2022 tregon se Shqipëria do të shpenzojë për tre vitet e ardhshme më pak se 10% për shëndetin nga paratë e përgjithshme publike. Rënia e burimeve për kujdesin parësor është shqetësuese. Strategjia për zhvillimin e kujdesit parësor në Shqipëri kërkon një buxhet të rritur në 25%. Roli i rëndësishëm i kujdesit parësor në përgjigjen dhe shërimin e COVID 19 është i rëndësishëm”.
OKB rekomandon për kontrollin e situatës ngritja e mekanizmave rregullues dhe koordinues për menaxhimin e dyfishtë të sistemit të gjurmimit shëndetësor, si dhe forcimi e platformave të ofrimit të shërbimeve.