Bota OKB: Ndryshimet klimatike, shkak për dyfishimin e katastrofave natyrore

OKB: Ndryshimet klimatike, shkak për dyfishimin e katastrofave natyrore

Ndryshimi i klimës është shkaku kryesor për dyfishimin e katastrofave natyrore nëpër botë në njëzet vjet. Ky është konkluzioni që ka dalë nga një raport i hartuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Reduktimin e Rrezikut nga Katastrofat (UNSDIR).

Që nga viti 2000, janë regjistruar 7 348 fatkeqësi natyrore (me kosto gati 3 trilionë dollarë) që kanë vrarë më shumë se 1,2 milion njerëz. “Covid-19 i ka bërë qeveritë dhe opinionin publik të vetëdijshëm për rreziqet që na rrethojnë. Emergjenca e klimës mund të jetë edhe më e keqe”, tha sekretari i Përgjithshëm i UNSDIR, Mami Mizutori.

“Pa një rikuperim miqësor me mjedisin, ne vetëm do ta shtojmë emergjencën e klimës”, këmbënguli sekretari i përgjithshëm. Raporti, i cili nuk mbulon rreziqe epidemiologjike si koronavirusi, tregon se përparimi i katastrofave natyrore lidhet kryesisht me rritjen e katastrofave klimatike, të cilat u rritën nga 3 656 (1980-1999) në 6 681 (2000-2019). Kostot e katastrofave natyrore janë vlerësuar të paktën afro 3 miliardë dollarë që nga viti 2000, por shuma reale është më e lartë sepse një numër i madh vendesh, veçanërisht në Afrikë dhe Azi, nuk japin informacion mbi ndikimin ekonomik. Përmbytjet, të cilat janë dyfishuar, dhe stuhitë kanë qenë katastrofat më të shpeshta në dy dekadat e fundit.

Valët e të nxehtit

Për dekadën e ardhshme, Kombet e Bashkuara parashikojnë që problemi më i madh do të jenë valët e të nxehtit. Në rang global, numri i vdekjeve u rrit nga 1.19 milion në periudhën 1980-1999 në 1.23 milion në periudhën 2000-2019, ndërsa numri i viktimave nga këto katastrofa natyrore shkoi nga 3.25 miliardë në 4 miliardë.

Dy uragane brenda gjashtë javësh në SHBA

Ndërkohë, uraganet Delta dhe Laura kanë lënë pasoja të rënda në juglindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rreth 370 mijë vetë kanë mbetur pa energji, ndërsa deri tani raportohet për 2 viktima, një 86-vjeçar në Luiziane dhe një 19-vjeçare në Florida.

Të dy uraganet, të cilët pasuan njëri-tjetrin brenda 6 javëve, shkatërruan dhe përmbytën sipërfaqe të mëdha, pasi era arriti deri në 240 km/h. Të shtunën, rreth 10 mijë punonjës të emergjencave dhe 3 mijë pjesëtarë të Gardës Kombëtare u shpërndanë në të gjithë Luizianën për të rikthyer energjinë elektrike, dhe për të pastruar rrugët kryesore nga pemët dhe rrëshqitjet e dheut.

Parashikuesit e motit në SHBA paralajmërojnë se tornadot mund të spostohen në Teksas, Tenesi dhe Misisipi në ditët në vijim, duke vënë në alert qindra mijëra banorë të zonave rurale.