Opozita Oketa: Djegia e mandateve të rrëzojë paktin Rama-Berisha. E vërteta e kandidimit...

Oketa: Djegia e mandateve të rrëzojë paktin Rama-Berisha. E vërteta e kandidimit në Durrës

Flet për TemA ish-ministri i Mbrojtjes i sapokthyer në PD: E vërteta e kandidimit në Durrës

Nga Ylli Pata

Gazmend Oketa është një nga të politikanët e larguar që është rikthyer në PD nga grupi që u largua në vitin 2012, i cili nga Basha u afrua jo në kupolën e lartë të partisë por në Këshillin Kombëtar.

Një nga kritikët e ashpër të Berishës në mandatin e dytë qeverisës, ish-ministri i Mbrojtjes i PD-së, flet për TemA Javore, në lidhje me vendimin e fundit politik të lënies së mandateve, kritikat e ndërkombëtarëve, por edhe mundësinë e kandidimit në Durrës, të cilën e përjashton. Megjithatë analiza e Oketës, edhe pse është lineare me linjën e partisë së tij, ka një fill që shkon pak përtej propagandës së përditshme që PD përdor si strategji komunikimi.

Në intervistë, Oketa flet për një ndryshim sistemi, për të rrëzuar paktin Rama-Berisha të vitit 2008, pasi sipas tij ai i ka zënë frymën sistemin aktual politik.

Zoti Oketa, po përjetojmë një situatë revolucionare, ku opozita kërkon o largimin e Edi Ramës o nuk ka zgjidhje tjetër. Vërtet nuk ka zgjidhje tjetër?

Në gjykimin tim nuk besoj se kjo situatë mund të përmblidhet me një fjalë të vetme, as edhe me atë revolucionare. Po ashtu dhe pyetja që ju shtroni, o largimi i Ramës ose nuk ka zgjidhje tjetër, tingëllon sikur kemi të bëjmë thjesht me një kapricio të opozitës. Në fakt nuk mendoj se është kështu, por ka një numër shumë të madh arsyesh të cilat sollën një situatë të paprecedentë në konfliktin politik shqiptar.

Po rendis disa arsye të cilat mendoj se na çuan në këtë situatë. Së pari është sistemi politik që është ndërtuar në Shqipëri pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008. Pasojat negative të prishjes së balancave dhe raportit ndërmjet institucioneve të shtetit shqiptar si dhe kthimi në një republikë kryeministrore sot po shfaqen fare qartë dhe janë të kuptueshme e të prekshme dhe nga qytetarët e thjeshtë. Së dyti, administrimi politik i procesit zgjedhor, vjedhja dhe shitblerja e votës kanë bërë që Shqipëria e pas zgjedhjeve të 2017-ës të ketë parlamentin me përbërjen më injorante dhe më të inkriminuar në të gjithë historinë e parlamentarizmit shqiptar. Për të ardhur tek emri i z. Rama dhe kërkesa për largimin e tij. Është z. Rama i cili kërkoi të merrte të gjitha përgjegjësitë, por dhe kompetenca që nuk i takonin, për të administruar gjithçka në këtë vend. Premtoi se do luftonte krimin, përkundrazi atë e bëri aleatin më të madh në zgjedhje por edhe në qeverisje. Premtoi se do luftonte drogën, kanabizoi Shqipërinë. Premtoi shëndetësi falas, e dha atë me koncesion. Premtoi arsim cilësor, i ngriti studentët në protestën më të madhe të pas 1990-ës. Premtoi ulje taksash, përkundrazi i shtoi ato.

Premtoi luftë kundër korrupsionit, vetëm aferat e Teatrit Kombëtar dhe “Unazës së Re” tregojnë sa është shtuar korrupsioni. Premtoi mbështetje për Kosovën, dha me koncesion dhe vendosi taksë për “Rrugën e Kombit” duke krijuar një barrierë komunikimi midis shiptarëve në të dy anët e kufurit. Premtoi një të ardhme më të mirë, por brezi i sotëm nuk ka as të sotme dhe as të ardhme, ajo i është dhënë me koncesion klientëve të z. Rama. Premtoi liri dhe bashkëpunim me median, por sot cilëndo media, apo gazetar që e kritikon e quan kazan apo kadri, përfshirë këtu dhe „Zërin e Amerikës“. Premtoi 350 mijë vende pune, sot Shqipëria po zbrazet çdo ditë nga të rinj e të reja të cilëve i është vrarë shpresa. Për të gjitha këto arsye, midis largimit të shqiptarëve nga Shqipëria apo largimit të kryeministrit të radhës, sigurisht që besoj se duhet zgjedhur e dyta.

Këshilli Kombëtar i PD-së u thirr për të vendosur mbi çështjen e djegies së mandateve. Ju si mendoni për këtë vendim, do të duhet t’i shkohet edhe juridikisht deri në fund apo të mbetet në kuadrin e presionit politik?

Më tepër sesa thjesht një vendim politik për dorëzimin e mandateve, i cili për hir të së vërtetës nuk është një vendim i lehtë, Këshilli Kombëtar i PD bëri një reflektim në kushtet e një situate krejt të re politike. Protesta e datës 16 Shkurt, ishte një mesazh shumë i qartë për të gjithë. Ishte një mesazh i cili tregoi se qeverisë shqiptare dhe z. Rama, për shkak të keqqeverisjes dhe abuzimit me pushtetin, i ka ikur mbështetja e qytetarëve shqiptar. Deri dje opozita kish ngritur vazhdimisht pretendim për blerjen e votës dhe përdorimin nga z. Rama të grupeve kriminale në zgjedhje. Tanimë ato nuk janë thjesht pretendime. Dokumentat e publikuara nga “Zëri i Amerikës” dhe audiopërgjimet janë fakte të pakundërshtueshme që tregojnë se Rilindja i ka themelet e kalbura. Edhe në rastin e publikimit nga “Zëri i

Amerikës” të dokumentave të cilat vënë në pikpyetje legjitimitetin e pushteti të z. Rama, me reagimin e tij ai la shumë hapësirë për shtimin e pakënaqësisë ndaj tij. Në gjykimin tim, duket sikur z. Rama nuk e ka kuptuar asnjëherë se ai është kryeministër i të gjithë shqiptarëve, është kryeministër edhe i atyre që nuk e kanë votuar. Ai jo vetëm që nuk është sjellur si i tillë në asnjë rast, por ka fyer dhe përbuzur pa limit si opozitën ashtu dhe kritikët e tij, edhe kur këta të fundit janë të paangazhuar politikisht. Edhe propagandës më të mirë e të fuqishme një ditë i vjen fundi. Qytetarët nuk i ushqejnë dot familjet e tyre me ironi, edhe kur ironia është kryeministritrore. Vendimi për dorëzimin e mandateve, më tepër sesa thjesht me largimin e z. Rama, ka të bëjë me një moment të ri politik që po kalon vendi dhe me nevojën ulëritëse për një korrigjim të sistemit dhe të gabimeve të bëra në 2008-ën. Ka të bëjë me nevojën për pastrimin e parlamentit dhe të politikës si nga injoranca ashtu dhe nga krimi. Tashmë dorëzimi i mandateve ka ndodhur dhe meqënesë z. Rama e quan politikën lojë shahu, me këtë lëvizje, atij i është dhënë shah. Lëvizjen duke bërë ndryshime në kabinetin qeverisës ai e ka konsumuar. Tani duket se i ka mbetur vetëm të lëvizë vetë.

Komuniteti ndërkombëtar po i bën thirrje PD-së por edhe opozitës që të mos largohet nga parlamenti, por këto deklarata kanë hasur me një klimë kritikuese ndaj ambasadorëve perëndimorë në Tiranë. Sipas jush a duhet të ketë një retorikë antiperëndimore në politikën e opozitës?

Thirrjeve të ndërkombëtarëve nuk do t’i hiqja asnjë presje nëse kuvendi aktual do të ishte produkt i një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe të pakriminalizuar. Në momentin që janë vetë ndërkombëtarë të cilët publikojnë dokumenta që vërtetojnë të kundërtën, e kam të vështirë t’i lexoj siç duhet këto deklarata. Në gjykimin, për shkak edhe të situatave të brendshme në disa nga vendet e BE por edhe SHBA, deklaratat nisen nga nevoja për stabilitet, edhe pse ky stabilitet nuk është i ngritur mbi parime demokratike. Kemi 28 vite që nuk po bëhemi pjesë e BE, ndoshta edhe për shkak të kësaj përqasje.

Duket se ka ardhur koha të lëmë stabilitetin e rremë dhe të ndërtojmë demokracinë e vërtetë. Ndoshta dhe ne, duke mos qënë shpesh të drejtpërdrejt me ndërkombëtarët kemi krijuar një varësi për gjithçka tek qëndrimet apo deklaratat e tyre.

Meqënëse z. Rama përmend shpesh ekipin e tij të zemrës, Juventusin, ju kujtoj se “ndërkombëtarët” e zbritën në kategori të dytë kur doli se kishte blerë rezultate dhe arbitra. Mjafton të përmendim dhe rastin e ekipit tonë të Skëndërbeut, të cilin, po ndërkombëtarët që qeverisin botën e futbollit, e kanë dënuar më 10 vite po për të njëjtat akuza. Nuk besoj se futbolli, i cili tek e fundit është një lojë e shëndërruar në industri, të këtë më shumë rëndësi se parimi kryesor i demokracisë, vota e lirë. Mendimin e z. Rama për këtë çështje e dimë. Do doja të dija më qartë dhe atë të ndërkombëtarëve.

Sipas jush le të bëjmë pak hipoteza, nëse Edi Rama nuk largohet, çfarë duhet të bëjë opozita në raport me zgjedhjet lokale?

Unë gjykoj se dikush duhet t’ja bëjë të qartë z. Rama se këtë rradhë nuk është thjesht çështje emri, apo çështje raportesh personale. Vëndi ka nevojë urgjente për reformim të sistemit politik dhe të procesit zgjedhor. Vendi ka urgjencë të kthejë besimin dhe shpresën, sidomos tek të rinjtë, se ky vend mund të bëhet. Dhe vetëm një shkundje e madhe e të gjithë sistemit mund ta bëjë atë. Rruga për një reformim të tillë kalon nga z. Rama. Ai duhet ta hapë këtë rrugë me çdo kusht. Ky është një shans edhe për z. Rama për të ndrequr sadopak imazhin dhe raportin e tij me historinë.

Ju zoti Oketa u rikthyet në Partinë Demokratike bashkë me zotin Aleksandër Biberaj, çka janë rikthime cilësore, si e konsideroni këtë rikthim në kuadër të cilësisë së të djathtës?

Unë, por besoj për të njëjtat arsye dhe z. Biberaj, ju përgjigjëm pozitivisht ftesës për të kontribuar jo thjesht për të ngritur treguesin e cilësisë në PD. Situata politike dhe ajo ekonomike, protestat e qytetarëve të unazës së re dhe ato të “Rrugës së Kombit“, protesta e artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, si dhe protesta masive e studentëve më riktheu besimin se gjërat mund të ndryshojnë, se koha për reformim të sistemit ka ardhur dhe se në një situatë të tillë nuk mund të qëndrosh indiferent. Unë besoj tek sistemet, tek institucionet dhe parimet demokratike dhe jam rikthyer në funksion të këtyre parimeve e vlerave.

Keni folur shumë për rikthimin në Partinë Demokratike. Rikthimi i Gazmend Oketës, jo thjesht se po merremi më falni me personin tuaj, është një zhvillim. Sipas jush PD-ja që latë dhe PD-ja sot çfarë ndryshimi ka?

Të flas për vete është gjëja që pëlqej më pak. Megjithatë shkurtimisht do të thoja se kur e lashë PD ishte në pushtet, sot ajo është në opozitë, siç edhe ishte në vitin 2005 kur unë kandidova për herë të parë. Në këtë kontekst, unë jam angazhuar për të kontribuar me aq sa mundem jo vetëm për një PD më të mirë, por edhe për një politikë më pozitive e më në shërbim të qytetarëve.

Sot PD, drejtohet nga një kryetar i ri, si dhe nga një ekip drejtues me moshë relativisht të re, apo më saktë një brez i ri politikanësh. Kjo sigurisht nuk e bën detyrimisht më të mirë apo më të dobët se PD e mëparshme. Sot gjykoj se PD është shumë më e hapur se kur ishte në pushtet, sigurisht edhe për faktin se sot ajo është në opozitë, dhe kur forcat politike janë në opozitë kanë më shumë dëshirë dhe kohë për të reflektuar. Zakonisht problemet shfaqen kur je në pushtet, siç po ndodh dhe me Rilindjen sot. Për këtë arsye duhet të ndodhin dhe rotacionet politike.

Zoti Oketa, a do të kandidoni për kryetar të bashkisë së Durrësit?

Kandidimi për bashkinë e Durrësit nuk bën pjesë në objektivat e mi politik.

Sipas jush cila është një strategji fituese për të djathtën jo vetëm në Durrës?

Strategjia gjykoj se është fare e thjeshtë. Sëpari duhet të garantohet një proces zgjedhor i ndershëm, korrekt dhe pa infuencën e botës së krimit. Rikthim i besimit të qytetarëve tek vota e lirë dhe e ndershme. Më pas e djathta duhet të ndërtojë një proces të përzgjedhjes së kandidatëve, transparent dhe të besueshëm nga vetë anëtarësia e saj së pari, e më pas dhe nga qytetarët. Zgjedhjet lokale nuk

janë zgjedhje mirëfilli politike dhe deri më sot kanë mbetur të vetmet zgjedhje ku qytetarët nuk votojnë kryetarët e partive, por zgjedhin me votë direkte kryetarin e bashkisë përkatëse. Përzgjedhja e kandidaturave të cilat perceptohen pozitivisht dhe mirëpriten nga opinioni qytetar është një domosdoshmëri. Nëse bëhet një përzgjedhje e tillë, besoj se strategjia e së djathës do të jetë fituese, aq më shumë kur kandidatët e saj do të kenë përballë kandidatë të cilët do të përfaqësojnë vetëm z. Rama, pasi fatkeqësisht tashmë PS është shëndërruar thjesht në një simbol në fletën e votimit.

Ju jeni sot anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Do të rrini në këtë pra si një qytetar i angazhuar politikisht apo do të ecni drejt një intensiviteti politik si angazhim?

Unë sot jam anëtar i Këshillit Kombëtar ë PD-së dhe do të përbush çdo detyrim që më lind nga kjo antarësi. Pjesën tjetër të angazhimit apo rritjes së intensitetit të angazhimit ja lë kohës.

Cili është mendimi i juaj për reformën në drejtësi dhe kontributin e ndërkombëtarëve?

Në gjykimin tim deri më sot e ashtuquajtura reforma në drejtësi ka pasur së paku katër “arritje” të dukshme. “Arritja“ e parë është që, që nga fillimit të zbatimit të saj, Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese, hapësirë e shfrytëzuar maksimalisht nga z. Rama për të prodhuar ligje apo marrë iniciativa antikushtetuese, si përshembull ajo e ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar. “Arritja“ e dytë është mundësia që kjo reformë dhe procesi selektiv i vettingut, i kanë dhënë z. Rama për të shtrirë pushtetin dhe kontrollin e tij dhe në sistemin e ri të drejtësisë. “Arritja” e tretë ka të bëjë me faktin se qytetarët ende nuk po munden të marrin drejtësinë e premtuar, ndërkohë që kriminelëve i ulet dukshëm dënimi apo dhe lirohen nga burgimi. Dhe “arritja“ e katërt, por jo më pak e rëndësishme është se drejtësia sot vetëm sa është bërë më e shtrenjtë për t’u blerë, por jo se është bërë me e drejtë.