Bota Olaf Scholz zgjidhet zyrtarisht kancelari i ri Gjermanisë

Olaf Scholz zgjidhet zyrtarisht kancelari i ri Gjermanisë

Olaf Scholz është zgjedhur kancelari i nëntë i Republikës Federale të Gjermanisë nga Bundestagu me votat e SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së. Kjo i jep fund epokës 16-vjeçare të kancelares Angela Merkel.

Kancelari i ri gjerman Olaf Scholz nga Partia Socialdemokrate, SPD u zgjodh në Bundestag nga shumica e deputetëve. Kryetarja e Bundestagut, Bärbel Bas (SPD), bëri të ditur se Scholz ka fituar 395 vota, ndërsa 303 deputetë ishin kundër. Pati edhe gjashtë abstenime. Tre vota ishin të pavlefshme. Për t’u zgjedhur në këtë post atij i duheshin 369 vota. Për kancelarin e ri kanë votuar partitë SPD, të Gjelbrit dhe FDP, të cilët së bashku kanë 416 vota. Nga kjo shihet se ai nuk i ka marrë të gjitha votat e partive në koalicionin e ri në pushtet. Bundestagu gjerman ka aktualisht 736 deputetë.

Kancelari i nëntë

63-vjeçari Olaf Scholz është kancelari i katërt i SPD-së pas Willy Brandt, Helmut Schmidt dhe Gerhard Schröderit. CDU deri tani ka pasur katër kancelarë Konrad Adenauer, Ludwig Erhard, Kurt Georg Kiesinger dhe Helmut Kohl. Ndërsa sot mori fund epoka e kancelares Angela Merkel e cila në këtë post ishte 16 vite me radhë.

Edhe pse vijnë nga parti me prirje të ndryshme, Scholz dhe Merkel kanë një stil të ngjashëm politik.

Angela Merkel ndoqi votimin si e ftuar në sallën e Bundestagut. Pas 16 vitesh dhe 16 ditësh në pushtet, ajo nuk arriti të thyente rekordin e Helmut Kohol si kancelari që ka qëndruar më gjatë në pushtet me vetëm 10 ditë.

Premtimet e qeverisë së re

Përpjekjet për të frenuar ndryshimet klimatike janë një përparësi kryesore për qeverinë e re, veçanërisht për të Gjelbërit.

Prioritete të tjera përfshijnë modernizimin e ekonomisë më të madhe të Evropës, futjen e politikave sociale më liberale dhe menaxhimi i pandemisë.

Gjatë kohës që Merkel ishte kancelare, Scholz ka shërbyer në kabinetin e saj në postin e ministrit të Financave dhe atë të zëvendëskancelarit.

Merkel, 67 vjeçe nuk garoi në zgjedhjet e fundit dhe u tërhoq nga politika pas katër mandateve radhazi si kancelare e Gjermanisë.

Pavarësisht dallimeve ideologjike dhe politike, qeveria e re ka për qëllim të përshpejtojë digjitalizimin, të bëjë ekonominë e gjelbër, të adresojë çështjen e çmimeve të papërballueshme të banimit, të heqë pagën minimale dhe të legalizojë marijuanën.

Qeveria po ashtu planifikon të rishikojë ligjet e migracionit dhe shtetësisë, duke lejuar shtetësinë e dyfishtë dhe për të thjeshtuar procesin e marrjes së pasaportës gjermane. Për më tepër, azilkërkuesit që do të integrohen në shoqëri do t’u jepet mundësia që të qëndrojnë përgjithmonë në Gjermani dhe bashkimi familjar për refugjatët do të zgjerohet.

Lufta kundër pandemisë pritet të dominojë ditët e para të qeverisë, teksa infektimet e reja janë rritur.

Scholz mbështet bërjen e detyrueshme të vaksinimit për të gjithë gjermanët prej shkurtit të vitit të ardhshëm, nëse ky ligj kalon në Bundestag.