Nga Samir Kajosevic – BIRN
Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe Perëndimi shton sanksionet kundër miliarderëve rusë të lidhur me Vladimir Putinin, disa oligarkë kanë ankoruar jahtet e tyre luksoze në portin e Tivarit në Mal të Zi – një vend i njohur si një destinacion i preferuar për rusët e pasur, por që i është bashkuar BE-së në sanksionet e vendosura kundër Moskës.
BIRN ka mësuar se jahti 70 metra i gjatë Galactica Super Nova, në pronësi të Vagit Alekperov, president dhe shef ekzekutiv i Lukoil, kompania më e madhe e pavarur ruse e naftës, hyri në portin e Tivarit rreth orës 15:00 me orën lokale të martën.
Jahti lundroi të hënën nga porti i Barcelonës në Spanjë.
Vagit Alekperov ka rreth 20 për qind të aksioneve në Lukoil. Ai gjithashtu zotëron 36.8 për qind të klubit të futbollit Spartaku të Moskës.
Lukoil nuk është ende nën sanksionet evropiane, por shumë presin që kompania të jetë në shënjestër për shkak të rëndësisë së gjigantit energjetik për ekonominë ruse dhe faktit që ai ka qenë tashmë nën sanksionet e SHBA-së që nga viti 2014.
Alekperov, i cili gjithashtu është sanksionuar nga SHBA-ja, ishte ndër liderët e biznesit të thirrur nga Putin në një takim në Kremlin më 24 shkurt.
Ditën e parë pas pushtimit rus të Ukrainës, Alekperov humbi 6.2 miliardë dollarë, ndërsa aksionet e Lukoil ranë me rreth 33 për qind, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg.
Ai dhe një tjetër miliarder rus, Leonid Fedun, i cili është zv/president i Lukoil, janë pronarë të Heesen Yacht, kompania që ndërtoi anijen Galactica Super Nova që tani është ankoruar në Mal të Zi. Fedun është gjithashtu në listën e sanksioneve amerikane.
MANS në Mal të Zi tha të martën se vendi i vogël i Adriatikut “nuk duhet të bëhet një vend për të fshehur pasuritë e oligarkëve rusë”.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur e dimë se Mali i Zi ende njihet si strehë e sigurt për fshehjen e pasurive që mund t’i nënshtrohen procedurave gjyqësore ose sanksioneve ndërkombëtare”, tha MANS.
Oligarku ukrainas me lidhje të mëparshme me Zelensky
Në portin e Tivarit, BIRN identifikoi gjithashtu një jaht të quajtur Trident në pronësi të manjatit ukrainas Ihor Kolomoisky, i cili është gjithashtu nën sanksionet e SHBA-së për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Përcaktimi sipas ligjit i pengon individët të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, por nuk përfshin vendosjen e sanksioneve financiare, sipas Departamentit të Shtetit.
Kolomoisky dyshohet se ishte përfshirë në “korrupsion madhor” gjatë kohës që ishte guvernator i rajonit Dnipropetrovsk të Ukrainës nga viti 2014 deri në 2015, pretendon SHBA-ja.
Ai njihet për lidhjet e tij me presidentin aktual të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, fushata zgjedhore e të cilit varej shumë nga mbështetja e Kolomoisky, sipas Atlantic Council.
Gjatë fushatës, Zelensky emëroi avokatin personal të Kolomoisky si një këshilltar kyç, udhëtoi jashtë vendit për të takuar Kolomoisky-n në shumë raste dhe përfitoi nga mbështetja e perandorisë mediatike të manjatit, duke bërë që shumë ta shihnin atë si kandidatin e Kolomoisky-t.
Dokumentet e “Pandora Papers” treguan se Zelensky dhe partnerët e tij në një kompani prodhimi televiziv, Kvartal 95, krijuan një rrjet firmash sekrete offshore që datojnë të paktën në vitin 2012, viti në të cilin kompania filloi të prodhonte përmbajtje të rregullt për stacionet televizive në pronësi të Kolomoisky, sipas një raporti të botuar nga OCCRP.
Megjithatë Zelensky duket se i mirëpret sanksionet kundër Kolomoisky-t, duke thënë se “Ukraina duhet të lërë pas një sistem të dominuar nga oligarkët”.
Jahti Galactica Super Nova në pronësi të Aleperov dhe jahti Trident i Kolomoisky po lundrojnë nën flamurin e Ishujve Kajman.
Ministria e Jashtme e Malit të Zi tha të hënën se, si një vend kandidat i besueshëm për anëtarësim në BE, vendi ndjek vazhdimisht politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe është plotësisht në përputhje me vendimet dhe deklaratat e Këshillit të Bashkimit Evropian – një referencë ndaj sanksioneve kundër Rusisë.
Vendi ka mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, por nuk ka bërë asnjë deklaratë për portet e tij.
As drejtori i Lukoil dhe as manjati ukrainas nuk janë subjekt i sanksioneve të BE-së.
BIRN i dërgoi pyetje Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, por nuk mori asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit.