Një nga emrat e drejtorëve të rinj sportivë, të licensuar sot nga FSHF-ja, është edhe Olsi Rama. Prej disa ditësh ai është emëruar drejtor i përgjithshëm i Partizanit, ndërkohë që mediat janë fokusuar shumë tek ai, për faktin se është vëllai i kryeministrit Edi Rama.
Për gazetarët, në dalje nga FSHF-ja, drejtori i të kuqve është shprehur: “Kjo është liçensa, zyrtarizimi është bërë që më përpara si drejtor te Partizani”.
Sigurisht që një nga çështjet më të nxehta në kampin e kuq është rikthimi i Sulejman Starovës pas dorëheqjes së tij në përfundim të disfatës së Gjirokastrës, por Rama nuk është i qartë në përgjigje kur pyetet nëse “Bobi” është njeriu që do të ndihmojë për të kaluar këtë moment, apo trajneri tek i cili është ndërtuar strategjia afatgjatë e klubit.
“Ishte vendimi i të gjithë drejtuesve për të krijuar vazhdimësi të punës. Ishte një sinjal për t’i treguar skuadrës që ka një plan dhe fatin e trajnerëve e vendosin drejtuesit. Starova ka qenë përherë pjesë e klubit dhe do të jetë në krye të stolit edhe për ndeshjen me Vllazninë”, thotë Rama.
Merkatoja e dimrit? “Nuk do të largohet asnjeri. Merkatoja bëhet për t’u përmirësuar. Senatorët do të vijojnë të jenë pjesë e Partizanit. Merkatoja e janarit është merkato riparimesh.
Përsa i përket çështjes së titullit të dy sezoneve më parë, për të cilin Partizani ka pretendime se i takon, Rama preferon të bëjë një koment diplomatik duke e lënë topin në këmbët e institucioneve përgjegjëse, që në këtë rast është KAS.
“Unë e thashë që kemi bërë një kërkesë për të qenë brenda afateve ligjore, për të njohur të drejtën e Partizanit. Ne presim vendimin e KAS-it, nuk ka asnjë problem”, tha Olsi Rama.
Marrja e drejtimit të klubit eklipson një emër që erdhi me shumë bujë, Lucciano Moxhin, por Rama e shikon italianin si pjesë të rëndësishme të projektit të kuq.
“Moxhi do të vazhdojë të jetë pjesë e Partizanit dhe emërimi im nuk e përjashton atë”, deklaroi drejtori sportiv i Partizanit.