Aktualitet Operacion masiv në Shkodër kundër kultivimit të kanabisit, 24 të arrestuar

Operacion masiv në Shkodër kundër kultivimit të kanabisit, 24 të arrestuar

Një operacion i Policisë së Shkodrës i koduar “Qarku” për të goditur fenomenin e kultivimit të kanabisit, ka vënë në pranga 24 persona.

191 kilogramë kanabis dhe 456 bimë narkotike gjithashtu kanabis janë sekuestruar nga uniformat blu.

Operacioni u zhvillua përgjatë 4 fazave të ndryshme.

Gjatë fazës së parë, në Shkodër, Malësi të Madhe dhe në Pukë u sekuestruan 83 kilogramë kanabis dhe u asgjësuan 101 bimë kanabis. Për këto raste u arrestuan në flagrancë 4 persona, konkretisht L. C., E. T., A. S. dhe Z. D.

Gjatë fazës së dytë u kap një shtetas i shpallur në kërkim, konkretisht shtetasi  A. P., me rekorde kriminale, i cili qarkullonte me armë zjarri me vete. Po gjatë kësaj faze u vu në pranga edhe një tjetër person, H. S., i cili qarkullonte me personin në kërkim.

Ndërsa gjatë fazës së tretë, në Vaun e Dejës janë sekuestruar 22 kilogramë kanabis dhe janë vënë në pranga babë e bir, M. N. e K. N., si dhe u shpall në kërkim P. L.

Ndërsa faza e katërt dhe e fundit u finalizua mbrëmjen e së mërkurës, me arrestimin e 16 personave dhe një tjetër u shpall në kërkim.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e 31-vjeçarit me iniciale P. Gj., në ambientet e jashtme dhe të brendshme të kësaj banese, u gjetën bimë narkotike në proces tharjeje dhe lëndë narkotike të thatë, me peshë totale 86 kilogramë kanabis.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e kësaj banese, janë kapur në flagrancë duke përpunuar lëndën narkotike, 10 shtetase: Danjela Hasani 42 vjeçe, Drita Çuni 45 vjeçe, Dorentina Hoxha 34 vjeçe, Franga Gini 52 vjeçe, Hurme Bafti 47 vjeçe, Mimoza Hoti 51 vjeçe, Elida Doku 43 vjeçe, Blerina Meta 37 vjeçe, Valbona Haka 45 vjeçe dhe Fatime Baftaj 53 vjeç, të cilat në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë.

Njëra prej këtyre shtetaseve, konkretisht 42-vjeçarja Danjela Hasani, banuese në Kombinat, Tiranë, e dënuar edhe 3 herë të tjera më parë po për këtë veprimtari kriminale, kishte rolin e organizatores. Ajo gjente punëtore, kryesisht nga Tirana dhe Kruja, për të përpunuar kanabisin.

Po gjatë operacionit, janë arrestuar bashkëshortët Zef Gjoni 56 vjeç dhe Antoneta Gjoni 55 vjeçe, si dhe 3 djemtë e tyre Elvis Gjoni 24 vjeç, Roland Gjoni 22 vjeç dhe Pjetër Gjoni 31 vjeç, si dhe shtetasja Flora Gjoni 29 vjeçe, bashkëshortja e shtetasit Pjetër Gjonit.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim 31-vjeçari Fabion Gjoni 31 vjeç, djali tjetër i bashkëshortëve Gjoni.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi P. Gj. grumbullonte bimë narkotike kanabis për përpunimin dhe përgatitjen për shitje.

Këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në vijim të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 86 kilogramë kanabis, dy ventilatorë që shërbenin për tharjen e bimëve narkotike, 3 automjete dhe 15 aparate celulare.

Po gjatë megaoperacionit të shtrirë në harkun kohor njëjavor, si rezultat i kontrollit të territorit dhe verifikimit të koordinatave të nxjerra nga monitorimi ajror, janë gjetur dhe asgjësuar në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, 355 bimë kanabis, të kultivuara në miniparcela, në zona të pyllëzuara. Për këto raste vijon puna intensive, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.