SPAK njoftoi këtë të premte realizimin e operacionit “Shpirti”. Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar 28 urdhër-arreste. Prokurori i çështjes, Vladimir Mara, njoftoi se një e re gjatë hetimit ka qenë kontributi i 4 bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Ai u shpreh se këta persona kanë pasur një rol të rëndësishëm në grupet kriminale.
“Autoritetet Shqiptare dhe DIA, gjatë hetimeve të mëparshme bërë në Shqipëri në kuadër të operacioneve SHEFI dhe KULMI në Mars të vitit 2018 e në Qershor të vitit 2020, kanë rindërtuar, edhe me ndihmën e deklaratave të katër bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të dhëna për shkelje të ligjit dhe veprime korruptive te kryera nga zyrtar publik shqiptar, pastrim parash, po ashtu të gjithë “zinxhirin e prodhimit” të lëndës narkotike, që nga kultivimi, prodhimi, mbledhja, magazinimi dhe trafikimi në drejtim të brigjeve puljeze me mjete lundruese të fuqishme. Një e re absolute e këtij hetimi është kontributi i çmuar i bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të gjithë shtetas shqiptar, deklaratat e të cilëve, në lidhje me krimet e kryera në Shqipëri dhe në Itali, janë mbledhur në Bari nga prokurorët e D.D.A-së lokale e të SPAK-ut të Tiranës e pasi janë verifikuar përkatësisht, janë përdorur – në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore – në procedimin penal shqiptar”, thuhet në një njoftim të SPAK.
Po ashtu gjatë hetimeve është zbuluar edhe shpërdorimi i detyrës nga ana e zyrtarëve të lartë publikë dhe në disa raste kanë qenë pronarë të drogës. Gjithsej janë arrestuar, një administrator publik, një prokuror, tre zyrtarë të lartë të policisë e dy punonjës të tjerë policie.
Këta të fundit, sipas SPAK, kur kanë kryer veprën penale në vitin 2016 kanë qenë pjesëtarë të grupit të shoqërimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Në veçanti, masat e sigurisë personale janë ekzekutuar, (përveç 10 shtetasve që janë arrestuar më parë në kuadër të operacionit Kulmi) edhe për një administrator publik (drejtor), një prokuror, tre zyrtarë të lartë të policisë e dy punonjës të tjerë policie, këta dy të fundit në kohën e kryerjes së veprave penale – në vitin 2016 – me detyrën e pjesëtarëve të grupit të shoqërimit të ish–Ministrit të Brendshëm. Zyrtarët publik, në disa raste pronarë të drogës, kanë garantuar, jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Pulia-s të kryhej me siguri të plotë”, thotë SPAK.
Mësohet se prokurori i arrestuar është ai i Vlorës, Maksim Sota. Ndërkohë mes zyrtarëve të policisë të vënë në pranga janë ish-nëndrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, si dhe Festim Lelaj, një ish-oficer policie i arrestuar edhe më herët për trafikim lëndësh narkotike në drejtim të Italisë.