Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Gjovalin Loka dhe Zv/Prokurori i Rrethit Shkodër Albert Murçaj në deklaratë për median për operacionin “Balerina”.
Në dalje për mediat Loka ka dhënë detaje të këtij operacioni, që sipas tij ka zgjatur për disa muaj dhe se është punuar me metoda speciale.
Më poshtë deklarata zyrtare e Policisë Shkodër:
Jam këtu me përfaqësuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodrër, për të njoftuar detajet nga operacioni i fundit i përbashkët kundër trafiqeve, e konkretisht në fushën e shfrytëzimit dhe ushtrimit të prostitucionit.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Forcat e Drejtorisë Operacionale dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, kanë goditur në orët e fundit Grupin kriminal “Balerina”, të evidentuar në kuadër të operacionit të gjerë policor “Forca e Ligjit”.
Në këtë kuadër janë arrestuar, 7 shtetas të dyshuar si anëtarë të këtij Grupi kriminal, e konkretisht:
– Rinard (Frederik) Tota, 50 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale.
– Kastriot Musa, 41 vjeç, banues në fshatin Barbullush Shkodër.
-S.M, 32 vjeçe, banuese në qytetin e Shkodrës, e denuar më parë për veprën penale ushtrim prostitucioni.
– A.M, 33 vjeçe, banuese në Shkodër.
– A.Ll, 33 vjeçe banuese në Burrel.
– A.N, 25 vjeçe, banuese në Lezhe.
– A.M, 33 vjeçe, banuese në Shkodër.
Si dhe është proceduar në gjendje të lirë shtetasi K.N, banues në qytetin e Shkodrës.
Ky operacion u finalizua me sukses pas një hetimi disa mujor me aplikimin e metodave speciale të hetimit.
Shtetasi Rinard Tota dyshohet se ishte organizator i kësaj veprimtarie kriminale ku prej kohësh shfrytëzonte për ushtrim prostitucioni shtetaset e sipërpërmendura, në lokalin e tij “TATA”, në qytetin e Shkodrës.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:
• Ambjenti tre katësh në pronësi të shtetasit Rinard (Frederik) Tota, në të cilin realizohej veprimtaria kriminale.
• Dy automjete tip Benx dhe Land-Rover në pronësi të Rinard (Frederik) Tota.
• Një armë zjarri pistoletë.
• Shtatë ora dore dhe një sasi e konsiderueshme bizhuterishë floriri të ndryshme.
• Një Laptop dhe 8 telefona celularë të markave të ndryshme.
• Një sasi parash të fituara nga ky aktivitet kriminal në prerje të ndryshme lek, euro, dollarë etj.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprat penale “Prostitucioni, Shfrytëzim prostitucioni, mbajtje e ambjenteve për prostitucion dhe pastrim produktesh të veprës penale”, parashikuar nga nenet 113, 114, 115 dhe 287 të Kodit Penal.
Policia e Shtetit po vijon punën intensive në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” për realizimin e plotë të objektivit për shkatërrimin e të gjitha grupeve të skeduara kriminale dhe sekuestrimin e aseteve të tyre financiare.