Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, foli këtë të premte për operacionin e nisur së fundmi për konfiskimin e ndërtimeve pa leje.
Ai theksoi se ky operacion ka si qëllim kryesor ndalimin përfundimtar të ndërtimeve pa leje në Shqipëri.
“Operacioni i konfiskimit të kateve e të metrave shtesë të ndërtuara në shkelje të ligjit e të lejes së ndërtimit, nuk është aspak kujtesë me vonesë siç thonë disa, po është thellim i një lufte që vazhdon prej vitesh me paligjshmërinë në ndërtim, e cila s’ka të krahasuar sot me përmasën e frikshme që kishte dje, kur s’kishte pallat që mos kishte shtesa e prapashtesa të bëra për qëllim fitimi.
Ky operacion do të ketë forcën e një vule përfundimtare mbi fatin e çdo metri katror të ndërtuar në shkelje të ligjit për shitje e fitime përtej kufirit të lejuar nga ligji.
Por ky operacion duhet të jetë edhe një mësim i mirë qoftë për ata që kujtojnë shumë gabimisht se mund t’ia hedhin me ryshfete e me marifete, qoftë edhe për ata që përbaltin papushim emrin tim apo punën e qeverisë dhe bashkisë, duke më asociuar poshtërsisht me fitime imagjinare nga ndërtimet në Tiranë a kudoqoftë.
Qëllimi jonë është të parandalojmë dhe të mos kemi më ndërtime pa leje dhe jo të kemi një agjenci imobiliare”, u shpreh Çuçi.