Policia e Sarandës ka realizuar me sukses një operacion për goditjen e një grupi që shpërndante kokaine në qytetin bregdetar. Operacioni policor i koduar “Çuka” i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë ka vënë në pranga një person si dhe është shpallur një tjetër në kërkim. I arrestuari quhet Romeo Laze 41 vjeç, banues ne Sarande, ndërsa në kerkim është shpallur një 26-vjeçar edhe ky banues në Sarandë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në momentin e arrestimit të shtetasit Romeo Laze, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës material, doza me lëndë të dyshuar kokainë.
Në vijim të kontrolleve të ushtruara në banesat, automjetet dhe motomjetet që këta dy shtetas përdornin, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 kilogram e 255 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”, një pjesë e të cilës ishte e ndarë në doza gati për shitje, 1 armë gjahu dhe muncionon luftarak, 3 peshore elektronike, një presë metalike, një shumë e konsiderueshme parash në Lekë, Euro dhe Dollarë, të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, 4 targa automjetesh dhe 1 pajisje DVR.
Gjithashtu u sekuestruan 3 automjetet dhe 3 motomjetet me të cilin këta shtetas qarkullonin për të shitur lëndën narkotike.