Një operacion i rrallë është zhvilluar në Izrael, ku janë ndarë binjaket 1-vjeçare të bashkuara në pjesën e kokës. Operacioni zgjati 12 orë në qytetin Beersheba javën e kaluar.
U deshën disa muaj përgatitje dhe analiza për këtë rast të rrallë. Dhjetra ekspertë nga Izraeli dhe jashtë vendit u përfshinë në këtë operacion.
Pas ndërhyrjes, vajzat duket se janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë shfaqur asnjë problem.
Është hera e parë që një operacion i tillë kryhet në Izrael. Në të gjithë botën janë realizuar 20 operacione të kësaj natyre.
Disa muaj përpara operacionit, në kokat e binjakeve u futën qese silikoni të fryra me qëllim që të zgjeronin periodikisht lëkurën e tyre.
Më pas, lëkura e re u përdor në pjesë të ndryshme të kokave të vajzave pas rregullimit të kafkave të tyre.
“Gjithçka shkoi ashtu siç kishim shpresuar”, tha neurokirurgu kryesor, Mickey Gideon. Vajzat pritet të kenë një jetë krejt normale pas ndërhyrjes.