Aktualitet Operacioni i SPAK, Balla: Janë arrestuar të gjithë personat në Shqipëri. Po...

Operacioni i SPAK, Balla: Janë arrestuar të gjithë personat në Shqipëri. Po pastrojmë edhe policinë nga bashkëpunëtorët e krimit

11 urdhër arreste lëshoi SPAK të hënën për goditjen e grupit të strukturuar kriminal. Mes të arrestuarve është edhe ish-zëvendësdrejtori i Rendit në Policinë e Tiranës, Erzen Breçani dhe djali i tij Eralbi Breçani.

Në kërkim është edhe biznesmeni Ervin Mata, një emër i njohur për drejtësinë, pas përplasjes që ka patur me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, në një lokal në ish-Bllok në vitin 2018.

Në lidhje me këtë operacion ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Sipas tij, ky aksion është konsolidimi i ngritjes në një nivel tjetër të vullnetit të agjencive ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij.

Sipas Ballës, të gjithë personat që ndodhen në Shqipëri janë arrestuar, ndërkohë po vijon puna për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë që ndodhen jashtë vendit.

Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se Policia ka arrestuar më shumë se 7 persona mbi të cilët rëndojnë akuza për vepra të rënda penale. Duke falënderuar Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese, ai përgëzoi Policinë e Shtetit për operacionet me sukses si dhe vuri theksin te rezultatet konkrete në procesin e vetëpastrimit të uniformave blu.

“Janë arrestuar më shumë se 7 persona, ajo që është e rëndësishme dhe unë e kam ndarë me ju dhe më herët është që pikësëpari gjej rastin të përgëzoj Policinë e Shtetit për realizimin me sukses të ndalimit të personave që ndodhen në territorin e Shqipërisë dhe të falënderoj për besimin prokurorët e SPAK. Falë këtij besimi dhe bashkëpunimi, koordinimit mes agjencive ligjzbatuese ne e kemi ngritur në tjetër nivel goditjen e krimit të organizuar, rasti në fjalë lidhet me vepër të rëndë penale. Falë këtij bashkëpunimi ne po çojmë në nivel tjetër dhe procesin e vetëpastrimit. Vatrat e bashkëpunëtorëve të krimit të organizuar, dosja në fjalë është një skaner i qartë i mënyrës se si vatra kanceroze e policisë ndër vite kanë shërbyer si shërbëtorë të krimit të organizuar. Mos harroni as koordinimin me partnerët, sepse një pjesë e operacioneve po kryhen në bashkëpunim dhe me policitë e shteteve partnere. Ndër 16 operacione që policia italiane zhvillon aktualisht me vendet e tjera, 14 prej tyre janë me policinë shqiptare”, deklaroi Balla.