Prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, ish-drejtuesi i lartë i policisë, Oltion Bistri, por dhe biznesmeni i njohur Pëllumb Gjoka u vunë në pranga një ditë më parë në një operacion të SPAK. Teksa ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga Prokuroria e Posaçme e Policia, gazetari Besar Bajraktaraj, sjell disa detaje duke iu referuar burimeve.
Kështu, operacioni i nisur orët e vona të së mërkurës, që deri në këto momente ka çuar në pranga të paktën 6 persona, ka vijuar edhe gjatë natës së shkuar. Në total janë 15 urdhërarreste të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme, dhe akuzat, ndonëse ende janë konfirmuar zyrtarisht dyshohet të jenë nga grup kriminal, te vrasje e korrupsion.
Por cili është roli i personave në fjalë?
Sipas asaj që raporton gazetari Bajraktaraj, Xhevahir Lita, përpara se të merrte detyrën e Prokurorit të Kukësit, këtë pozicion e ka mbajtur në Shkodër. Arrestimi i tij dyshohet se lidhet me këtë periudhë, për ngjarje të ndodhura pikërisht në Qarkun e Shkodrës.
Gazetari thotë se ka dyshime të forta që Ervis Martinaj është implikuar së bashku me biznesmenin Pëllumb Gjoka, shoferin e këtij të fundit Edmond Preka dhe Behar Bajrin në vrasjen e Gjin Ndoj Boriçit, ngjarje e ndodhur në 9 Gusht të 2020. Ngjarja në fjalë ndodhi në zonën e Vaut të Dejës. Në atë kohë u dyshua si hakmarrje dhe përplasje mes grupeve kriminale, por nuk ka pasur një autor të dyshuar të vrasjes së tij.
Po sipas Bajraktarajt, nga hetimet ka rezultuar sa i përket prokurorit Lita, që në atë kohë ishte prokurori i çështjes, dyshohet se ka mbyllur hetimet në favor të anëtarëve të grupit kriminal të cilët kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin.
“Gjithashtu Ervis Martinaj dyshohet edhe se ka siguruar kushtet për vrasjen e një tjetër personi, atë të Kleant Musabelliut. Sa i përket krahut të tij të djathtë, Elion Hato, i cili po ashtu është shpallur në kërkim, ai dyshohet se ka bërë atentatin ku mbeti i plagosur Taulant Pepa, ngjarje e ndodhur në afërsi të spitalit të Shkodrës gjatë këtyre viteve”, shton gazetari.
Sipas të dhënave të policisë, por dhe prokurorisë, prokurori Xhevahir Lita, dyshohet që edhe në këtë rast të ketë mbyllur hetimet në mënyrë të paligjshme.
Një tjetër person i vënë në pranga, si pjesë e anëtar i bandës së Bajrave në Shkodër, është edhe Astmer Bilali i cili gjithashtu dyshohet se është i implikuar.
Në pranga ka rënë edhe ish-punonjësi i policisë, i përjashtuar një vit më parë, Ardit Hasanbegaj, i cili për ngjarjet në fjalë ka pasur rolin për hetimin e krimeve në Policinë e Shkodrës.
Sa i përket Oltion Bistrit, të dhënat e hetimeve tregojnë që ai ka bashkëpunuar me grupet kriminale dhe dyshohet për shpërdorim detyre dhe nxjerrje të akteve sekrete. SPAK dhe policia kanë dokumentuar disa raste ku ata janë të dyshuar dhe tashmë ndaj tyre rëndojnë edhe akuzat përkatëse, raporton më tej gazetari.
Të arrestuarit: Xhevahir Lita (prokuror), Oltion Bistri (ish-kreu i Operacionales), Pëllumb Gjoka (biznesmen), Ardit Hasanbegaj (ish-shef krimesh), Edmond Preka (shoqëruesi i biznesmenit Gjoka), Astmer Bilali (i dyshuar si pjesë e grupit Bajri).
Të shpallur në kërkim (disa prej tyre): Ervis Martinaj, Elion Hato, Behar Bajri./Tv Klan