13 persona janë arrestuar këtë të martë nga Policia e Venecias, të cilët akuzohen si të përfshirë në trafikun e kokainës në këtë qytet.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, bëhet fjalë për një operacion të gjerë antidrogë të policisë, nën drejtimin e Antimafias, në të cilin u përfshinë mbi 100 oficerë policie.
Të arrestuarit janë shqiptarë, shumë prej të cilëve të punësuar në qendrën historike, duke kamufluar në këtë mënyrë aktivitetin e tyre kriminal.
Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu një sasi kokaine. Grupi në fjalë kishte një strukturë piramidale, me detyra dhe nivele përgjegjësie të mirëpërcaktuara.